Site icon Telegrafi

Ana e errët e Perandorisë Osmane

Sulltanët e hershëm osmanë nuk e praktikonin zakonin ku djali i madh trashëgon gjithçka. Si rezultat, vëllezërit e ndryshëm pretendonin fronin. Perandoria u mbush me pretendues, të cilët gjenin strehë në shtete armike dhe i shkaktonin probleme perandorisë për vite me radhë…

Kur Mehmed Pushtuesi rrethoi Kostandinopojën, xhaxhai i tij luftoi kundër tij që nga muret. Mehmedi e zgjidhi problemin me mizorinë e tij të zakonshme. Kur mori fronin, e ekzekutoi pjesën më të madhe të të afërmve meshkuj, duke përfshirë edhe një vëlla foshnjë që e mbyti në djep. Më pas, nxori ligjin famëkeq: “Cilido prej bijve të mi që do të marrë Sulltanatin, për hir të rregullit të botës, do të vrasë vëllezërit e tij. Shumica e Ulemave e lejojnë këtë. Pra, le të veprojë në këtë mënyrë”.

Nga kjo pikë e tutje, çdo sulltani i ri duhej ta merrte fronin duke vrarë të gjithë të afërmit e tij meshkuj.

Kështu, Mehmedi III shkuli mjekrën e tij nga hidhërimi, kur vëllai më i vogël iu lut për mëshirë. Por, ai “nuk iu përgjigj kurrë as edhe me një fjalë”, dhe djali u ekzekutua së bashku me 18 vëllezër të tjerë. Pamja e 19 trupave të tyre që vërtiteshin rrugëve, bëri të qajë gjithë Stambollin.

Por, edhe pas raundit të parë të vrasjeve, të afërmit e sulltanit nuk ishin të sigurt. Sulejmani i Madhërishëm shikonte në heshtje nga prapa një dritareje si djali i tij mbytej me një tel harku, pasi djali ishte bërë shumë popullor mes ushtrisë dhe sulltani nuk ndihej i sigurt.

***

Edhe për sulltanin, jeta në Topkapi mund të ishte mbytëse deri në ekstrem. Konsiderohej e pahijshme për sulltanin që të fliste shumë, kështu që u fut një formë e gjuhës së shenjave dhe sundimtari e kalonte shumicën e kohës i rrethuar nga një heshtje e plotë.

Mustafai I e pa të pamundur ta duronte këtë dhe u përpoq që ta ndalojë, por veziri i tij refuzoi ta lejojë. Mustafai shumë shpejt u çmend.

***

Intrigat në pallat ishin të zakonshme, teksa vezirët, oborrtarët, eunukët luftonin për pushtet. Për 130 vjet gratë e haremit fituan një ndikim të madh dhe periudha u bë e njohur si “sulltanati i grave.”

Dragomani (Kryepërkthyesi) ishte gjithmonë i pushtetshëm dhe gjithmonë ishte grek.

Eunukët ndaheshin përgjatë linjave racore, dhe krye-eunuku i zi dhe krye-eunuku i bardhë ishin rivalë. I zënë shpesh në mes të kësaj çmendurie, sulltani ndiqej kudo ku shkonte.

Ahmeti III i shkroi vezirit të tij të madh, duke u ankuar: “Nëse unë shkoj në një nga dhomat, 40 vetë janë vënë rresht; nëse më duhet të vesh pantallonat, nuk ndihem aspak rehat. Shpata-mbajtësi duhet t’i lërë të largohen. Mbani vetëm tre apo katër burra që të jem rehat”.

Për shkak se i kalonin ditët e tyre vazhdimisht të vrojtuar, në një atmosferë helmuese, një numër i sulltanëve osmanë u sëmurën mendërisht.

***

Politika e vëllavrasjes në Perandorinë Osmane nuk ishte popullore mes publikut apo klerit, dhe ajo u braktis në heshtje kur Ahmedi I vdiq papritmas në vitin 1617. Në vend të kësaj, trashëgimtarët e mundshëm për fronin u mbyllën në Pallatin Topkapi në Stamboll, në apartamente që njiheshin si kafazet. Një princ i Perandorisë Osmane mund të kalonte tërë jetën e tij i burgosur në kafaz, i monitoruar vazhdimisht nga rojet. Burgimi ishte zakonisht luksoz, por i zbatuar në mënyrë rigoroze, dhe shumë princa u çmendën nga mërzia ose u bënë të varur nga alkooli.

Kur një sulltan i ri shkonte në Portën e Lumturisë për të marrë besnikërinë e vezirëve, kjo mund të ishte hera e parë që dilte jashtë, pas disa dekadash, gjë e cila nuk ishte përgatitja ideale për një sundimtar.

***

Kërcënimi i ekzekutimit ishte konstant. Në vitin 1621, Myftiu i Madh refuzoi të lejojë Osmanin II që të mbyste vëllain e tij. Por, kryegjykatësi i Ballkanit nxitoi për të dhënë një kundëropinion dhe princi u mbyt gjithsesi. Vet Osmani u përmbys më pas nga ushtria, të cilës iu desh që të nxjerrë vëllain e tij të mbijetuar nga kafazi, duke hequr çatinë dhe duke e ngritur me një litar. I gjori kishte ndejtur dy ditë pa ushqim apo ujë dhe ishte shumë vonë për të qenë i vetëdijshëm se ishte bërë sulltan.

***

Gjykata e parë e Pallatit Topkapi ishte një vend i tmerrshëm. Aty spikasnin dy shtylla ku ekspozoheshin kokat e prera dhe një burim i veçantë vetëm për ekzekutuesit, që të lanin duart.

Gjatë spastrimeve periodike në pallat, gjuhët e njerëzve bëheshin pirg, ndërsa një top i veçantë ushtonte çdo herë që një trup hidhej në det. Osmanët as nuk e morën mundimin që të krijonin një trupë xhelatësh. Në vend të kësaj, kjo detyrë u ra kopshtarëve të pallatit, të cilët e ndanin kohën e tyre mes vrasjeve dhe krijimit të shumë prej luleve të bukura që ne njohim sot.

Shumicës së viktimave të tyre, thjeshtë u pritej koka. Por, ishte e ndaluar që të derdhej gjaku i familjes mbretërore dhe zyrtarëve të nivelit të lartë, kështu që ata mbyteshin derisa jepnin shpirt.

Si rezultat, kryekopshtari ishte gjithmonë një njeri trupmadh, muskuloz, i aftë për të mbytur një vezir për vdekje me të marrë njoftimin.

***

Në ditët e para të qeverisjes, zyrtarët e sulltanit të ri krenoheshin me bindjen e tyre ndaj tekave të tij dhe ishte e zakonshme që ata të përballeshin qetë-qetë me ekzekutimin.

Veziri i famshëm, Kara Mustafai, ishte shumë i respektuar për shkak se e përshëndeti ekzekutuesin e tij me një “Ashtu qoftë!” të përulur. Më pas, u ul në gjunjë që ai t’i vendoste telin përreth qafës.

Por, në vitet e mëvonshme, standardet ranë. Ali Pashën, i cili luftoi aq shumë kundër njerëzve të Sulltanit, e vranë me plumba nga poshtë dyshemesë së shtëpisë së tij.

***

Në Perandorinë osmane, kishte një mënyrë për një zyrtar besnik, që t’i shpëtonte zemërimit të sulltanit. Duke filluar në fund të shekullit të XVIII-të, u bë zakon që një vezir i madh i dënuar, mund t’i shpëtonte fatit tragjik, duke mundur një kopshtar në një garë nëpër kopshtet e pallatit.

Zyrtari thirrej në një takim me krye-kopshtarin dhe pas shkëmbimit të përshëndetjeve, vezirit do t’i dorëzohej një gotë sherbet e mbuluar me akull. Në qoftë se ajo ishte e bardhë, sulltani i kishte ofruar atij edhe një shans. Në qoftë se ajo ishte e kuqe, ai do të ekzekutohej. Sapo shihte sherbetin, veziri duhej të niste vrapin me sprint.

Ai vraponte nëpër kopshtet e pallatit, nëpër hijet e selvive dhe rreshtave me tulipanë, i ndjekur nga sytë e fshehur prapa portave dhe dritareve të haremit. Gara përfundonte tek Porta e Tregut të Peshkut në anën tjetër të pallatit. Nëse veziri mbërrinte tek porta përpara kryekopshtarit, ai thjeshtë dërgohej në mërgim dhe nuk vritej.

Por, kryekopshtari ishte më i ri dhe më i fortë, dhe zakonisht ndodhte që ai e priste me litarin e tij të mëndafshtë. Kështu që, shumë pak vezirë ia dolën, duke përfshirë Haxhi Sali Pashën, veziri i fundit që u përball me garën e vdekjes. Ai u përgëzua dhe më pas u bë guvernator province.

***

Pavarësisht se teorikisht ishin të dytët pas sulltanit, vezirët e mëdhenj zakonisht ekzekutoheshin ose i hidheshin turmës kur diçka shkonte keq. Nga kjo ka ardhur shprehja “kokë turku”.

Sulltan Selimi ndryshoi aq shumë vezirë të mëdhenj, saqë filloi të mbajë një ditar.

Vezirëve u duhej gjithashtu që të qetësonin popullin e Stambollit, të cilët ishin të prirur të marshonin në pallat dhe të kërkonin ekzekutime, sa herë që diçka shkonte keq. Një vizitor britanik i shekullit të XVIII-të vërente se “kur një ministër këtu nuk u pëlqen njerëzve, brenda tre orësh ai hiqet zvarrë dhe i presin krahët, kokën dhe këmbët”.

***

Njerëzit nuk kishin frikë të sulmonin pallatin nëse kërkesat e tyre nuk plotësoheshin. Në vitin 1730, një ushtar i rreckosur me emrin Patrona Ali udhëhoqi një turmë që hyri në pallat dhe mori kontrollin e perandorisë për disa muaj.

Ai u qëllua për vdekje, pasi u përpoq që të bënte sundimtar të Vllahisë, një kasap të cilit i kishte para borxh.

***

Haremi Perandorak përbëhej nga deri 2000 gra, shumica prej të cilave të blera apo rrëmbyera si skllave, që shërbenin si gra apo konkubina të Sulltanit. Ata mbaheshin të mbyllura, dhe nëse një burrë u hidhte sytë, kjo ishte vdekja e tij.

Vetë Haremi ruhej dhe drejtohej nga Kryeeunuku i Zi, i cili me kalimin e kohës e shndërroi pozicionin e tij në një prej forcave më të pushtetshme të Perandorisë.

Ka pak informacion për ngjarjet brenda mureve. Thuhet se aty ka patur kaq shumë konkubina, saqë disa prej tyre as nuk arrinin ndonjëherë ta shihnin Sulltanin. Të tjera ia dilnin të fitonin edhe ndikim në drejtimin e punëve të Perandorisë.

Sulejmani i Madhërishëm ra çmendurisht në dashuri me një polake të quajtur Rokselana, u martua me të, dhe e bëri kryekëshilltare. Ndikimi i Rokselanës ishte kaq i madh, saqë një Vezir i Madh dërgoi piratin Barbarosa në një mision të dëshpëruar, për të rrëmbyer bukurinë italiane Giulia Gonzaga, me besimin se vetëm ajo do të mund t’i afrohej sharmit të Rokselanës. Plani u zbulua nga një italian i guximshëm, i cili hyri në shtëpinë e Giulias dhe e mori me kalë, përpara se të vinin piratët.

Pasi e falënderoi që e shpëtoi, Giulia thuhet se kërkoi që ai të vritej, për shkak se e kishte parë me këmishë nate.

Ky veprim e bëri të fitojë admirimin e gjithë Italisë.

Ish-konkubina Kosem arriti edhe më shumë ndikim se sa Rokselana. Me kalimin e kohës ajo udhëhoqi perandorinë në emër të birit apo nipit. Derisa ndeshi në nusen e saj, Turhan, e cila urdhëroi që vjehrra të mbytej me një perde, përpara se t’i merrte vendin.

***

Një nga karakteristikat më famëkeqe të sundimit të hershëm osman ishte devsirmeja (“thirrja”), një haraç që paguhej me djem të rinj nga shtete të krishterë të Perandorisë. Shumica e djemve regjistroheshin në Korpusin e Jeniçerëve, ushtria e skllevërve-ushtarë që ishin në ballë të pushtimeve osmane.

Haraçi kërkohej jo rregullisht, por në varësi të nevojave që mund të kishte për fuqi punëtore dhe në shënjestër ishin djem të moshës 12-14 vjeç, kryesisht nga Ballkani.

Zyrtarët osmanë mblidhnin të gjithë djemtë në fshat dhe kontrollonin emrat e tyre me regjistrat e pagëzimit nga kishat vendase. Ata pastaj zgjidhnin më të fortët. Djemtë më pas grupoheshin dhe marshonin për në Stamboll, teksa më të dobëtit vdisnin rrugës.

Osmanët prodhonin një përshkrim të detajuar të çdo djali, në mënyrë që ata të gjurmoheshin, nëse arratiseshin.

Në Stamboll djemtë bëheshin synet dhe konvertoheshin me forcë në Islam. Më të pashmit apo inteligjentët dërgoheshin në pallat, ku trajnoheshin për t’u bashkuar me elitën perandorake. Këta djem mund të aspironin për të arritur gradat më të larta dhe shumë u bënë pashallarë ose vezirë.

Pjesa tjetër e djemve u bashkoheshin jeniçerëve. Së pari, ata dërgoheshin për të punuar në një fermë për tetë vjet, ku mësonin turqisht dhe bëheshin më të fortë. Në të njëzetat bëheshin formalisht jeniçerë, ushtarë elitarë të perandorisë dhe i nënshtroheshin disiplinës së hekurt dhe indoktrinimit.

Ka pasur përjashtime për haraçet. Ishte e ndaluar për të marrë fëmijën e vetëm të një familje, apo bijtë e atyre të cilët kishin shërbyer më parë në ushtri. Sistemi i haraçit mori fund në fillim të shekullit të XVIII.

Exit mobile version