Ana Brnabiq është mandatuar për krijimin e Qeverisë së re të Serbisë, njoftoi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në një konferencë për media në Beograd.
Siç tha ai, vendimi për mandatim ishte i komplikuar, kompleks si brenda partisë më të madhe në vend ashtu edhe me partnerët e koalicionit.
“Brnabiq nuk do të jetë kryeministre për katër vjet, mandati i saj do të jetë më i shkurtër”, tha Vuçiq dhe shtoi se në vitin 2024 do të ketë ndryshime në qeveri. Por është e rëndësishme që ajo të mbetet kryeministre në mënyrë që ne të vazhdojmë të zgjidhim problemet”, theksoi ai.
“Jam krenare që kam një bashkëpunëtore të tillë dhe mund t’i them po postit, ndoshta jo me aq legjitimitet, por postit ndoshta më të rëndësishëm në vend, një gruaje, e aftë, e arsimuar, e zellshme dhe mbi të gjitha besnike ndaj Serbisë”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se ajo është në gjendje të flasë me fermerët për 13 orë dhe të marrë përsipër gjërat më të vështira, nga të cilat të tjerët ikin dhe se ka besim të madh tek ajo.
Vuçiq tha gjithashtu se Millosh Vuçeviq do të jetë “një anëtar shumë i rëndësishëm i qeverisë së re”, siç tha ai, “sigurisht zëvendëskryeministër”.
Ivica Daçiq do të ketë një rol dhe funksion edhe më të rëndësishëm në aparatin shtetëror të Serbisë.
“Kjo tregon besimin që kam. Daçiq, përveç postit të rëndësishëm ministror, do të ketë edhe funksionin e koordinatorit të shërbimeve të sigurisë. (Sinisha) Mali, tek i cili kemi besim, do të jetë një nga zëvendëskryeministrat”, ka theksuar Vuçiq.
Ndryshe, presidenti serb ka bërë të ditur se nuk ka marrëveshje rreth dy tema të nxehta me Kosovën – tabelat RKS dhe njohja e dokumenteve të udhëtimit. /Telegrafi/