Site icon Telegrafi

Amullia rreth ndryshimeve të TVSH-së po vazhdon

Për herë të dytë Kuvendi i Kosovës do të shqyrtojë Projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), atë për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, si dhe për Tatimin në të Ardhurat Personale. Për dallim nga ligji i vjetër ku norma e TVSH-së ishte 16 për qind për të gjitha produktet, në projektligjin e ri pritet të rritet në 18 për qind, ndërsa për disa produkte dhe kategori të ulet në 8 për qind.

Bizneset dhe prodhuesit vendorë ende kanë paqartësi rreth ndryshimeve që parasheh ky projektligj për tatimin mbi TVSH-në. Ata kanë ngritë dyshimet që ndryshimi i ligjit për përshkallëzimin e TVSH-së i disfavorizon prodhuesit vendorë, derisa sipas tyre, ndryshimet e parapara në këtë draft do të favorizojnë importuesit e produkteve të gatshme.

Zyrtarët kompetent për ndryshimet e Ligjit të TVSH-së që priten të bëhen, thonë se ndryshimet do të jenë në favor të bizneseve, pasi që këto ndryshime janë bërë në harmoni me legjislacionin vendor e rajonal dhe me direktivat e Bashkimit Evropian.

Sipas zyrtarëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), edhe me këtë ndryshim të Ligjit të TVSH-së nuk mund të ketë ngarkesë të standardit jetësor të qytetarëve, pasi që nëse zbatohet norma e reduktuar nuk ka nevojë të rriten çmimet. Por, prodhuesit vendorë mbesin të shqetësuar me këto ndryshime.

Sylejman Konushevci, pronar i kompanisë së prodhimit të vajit “Inter Compani”, ka thënë se me rritje të TVSH-së, ai do të dëmtohet nga importuesit. Ai shprehet i brengosur se përshkallëzimi i TVSH-së nuk i favorizon, por në të kundërtën ua shumëfishon TVSH-në.

“Ky përshkallëzim i TVSH-së jo që na favorizon neve si kompani, por na e ka katërfishuar TVSH-në, sepse një produkt që vjen nga Serbia, produkt vaji, ai vjen e paguan 8 centë TVSH-në, ndërsa nëse unë lëndën e parë e importoj prej kudo qoftë e paguaj 29.8 për qind, do të thotë që i bie 32 centë. Nuk e di se kjo qeveri çka është duke menduar për ne, kjo haptas nuk lejon prodhim në Kosovë. S’na mbetet tjetër veç se t’i bartim makineritë në vende të tjera ”, ka thënë ditë më parë Konushevci gjatë një tryeze diskutimi për TVSH-në.

Sami Salihu, menaxher i lartë i shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në ATK, thotë për KosovaLive se Ligji i TVSH-së që pritet të hyjë në fuqi është në favor të tatimpaguesve, sepse ka rregulluar shumë nene të ligjit paraprak, i cili ka pasur dykuptimësi dhe tashmë është më i avancuar, më i qartë dhe humb dykuptimësinë e interpretimit.

“Bizneset nuk duhet t’i frikohen ndryshimeve ligjore, por duhet të jenë të kënaqur me këto ndryshime, sepse do të jenë në favor të tyre dhe do të jetë një ligj më liberal”, thotë Salihu.

Po ashtu ai ka hequr dilemat se me ndryshim të Ligjit të TVSH-së mund të ketë ngarkesë të standardit jetësor të qytetarëve, sepse siç thotë ai, nëse zbatohet norma e reduktuar nuk ka nevojë të rriten çmimet

Sipas një analize të Institutit GAP, disa prej të gjeturave kryesore tregojnë se bizneset e vogla do të ndikohen negativisht nga ulja e pragut të TVSH-së, ndërsa heqja e TVSH-së në makineri dhe lëndën e parë prodhuese pritet të ulë koston e prodhimit.

“Rritja e TVSH-së në shumicën e produkteve nga 16 në 18 për qind, duke i mbajtur faktorët tjerë të izoluar, pritet të sjelle rritje të çmimeve në shportën e konsumatorit dhe të rrisë të hyrat buxhetore. Së fundmi, duke u bazuar në uljet paraprake në tatimin në korporata, taksimi i dividendës së tërhequr nuk pritet të ketë ndonjë efekt në rritjen apo uljen e investimeve”, thuhet në analizën e GAP-it.

Sipas GAP-it, ndryshimet më të mëdha sa i përket këtyre projektligjeve pritet të ndodhin tek Projektligji për TVSH-në. Së pari, sipas nenit 6 të Projektligjit për TVSH, ulet pragu i TVSH-së nga 50 mijë euro sa është në ligjin aktual në 30 mijë euro. Pra çdo biznes i cili realizon qarkullim mbi 30 mijë euro brenda vitit, do të detyrohet të regjistrohet për TVSH dhe të paguajë për pjesën, e cila tejkalon këtë shumë.

“Buxheti i Kosovës do të përfitojë nga kjo ulje e pragut të TVSH-së ngase një numër më i madh i bizneseve do të detyrohen të paguajnë TVSH, mirëpo në anën tjetër kjo politikë fiskale do të rëndojë mbi bizneset e reja të cilat kanë nevojë për lehtësira fiskale dhe të cilat potencialisht krijojnë vende të reja pune”, thuhet në analizën e Institutit GAP.

Drejtuesit e AKB-së kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që mos të marr vendim për rritje të TVSH-së nga 16 në 18 për qind. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë se qeveria nuk i ka marrë në konsideratë vërejtët e komunitetit të biznesit dhe qytetarëve. Ai ka theksuar se zbritja e TVSH-së për 13 produkte nuk mund të ketë ndikim sikurse tek 100 mijë produktet tjera që hyjnë në TVSH-në me rritje nga 16 në 18 për qind.

“Qeveria ka bërë një hap të qëlluar për përshkallëzimin e TVSH-së, por ky hap duhet të modifikohet dhe numri i produkteve duhet të rritet që edhe më tutje e avancon pozitën sociale të qytetarëve dhe të vet bizneseve, e që do të ndikojë direkt në rritjen e zhvillimit ekonomik. Rritja e TVSH-së në 100 mijë artikuj të tjerë do të varfërojë edhe më tutje shportën e qytetarit, konsumatorit dhe kjo do të jetë një ngarkesë për vet bizneset”, ka thënë ai.

Sipas tij, rritja e TVSH-së në 18 për qind rrezikon informalitetin në disa artikuj e që konsiderohen që ende janë informal në Kosovë si: duhani, alkooli, derivatet e naftës, veshmbathja, mjete transportuese dhe shërbime tjera.

Sipas ATK-së numri i bizneseve të cilat kanë paguar TVSH në vitin 2014 ka qenë 14,560 sosh, ndërsa vendimi për uljen e pragut do të rrisë këtë numër për 1,800 biznese. Projektligji për përshkallëzimin e TVSH-së është paraparë të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti, por është shtyrë deri më 1 shtator. /KosovaLive/Telegrafi/

Exit mobile version