Site icon Telegrafi

Ambulanca e mbyllur në Lisec, aty ku mjeku ruan bagëtinë (Foto)

Liseci është njëri nga fshatrat e malësisë së Tetovës, me një lartësi mbidetare prej mbi 1000 metër. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, fshati ka patur rreth 700 banorë, që tani mendohet se ky numër është ulur në 500 për shkak të migrimit, njofton Telegrafi Maqedoni.

Me një numër të këtillë banorësh, fshatarët merren me veprimtari të ndryshme bujqësore, kurse një pjesë e tyre punojnë në Evropën Perëndimore dhe në SHBA.

Në kohën e luftës së Kosovës, edhe në Lisec u strehuan shqiptarë të ikur nga lufta. Kjo ishte një gjë pozitive sepse fshati arriti që të përfitojë një donacion gjerman për ndërtimin e një ambulance të fshatit.

Ministria shtetërore për punë dhe çështje sociale, familje, gratë dhe shëndetësi e landit të Bayerit, e financoi këtë ambulancë, e cila punoi nga viti 1999 e deri në vitin 2002.

Mirëpo, ambulata ishte jetëshkurtër, pasi që me përfundimin e konflitit të vitit 2001, edhe ambulancës iu vu dryni dhe kurrë më nuk u hap. Sipas banorëve, faji për këtë u mbetet partive shqiptare BDI dhe PDSH, si pjesë e pushtetit qendoror, të cilat në vend të kontributit për ta hapur, ata kontribuan për mbylljen e saj. Kështu thonë banorët e fshatit për Telegrafi Maqedoni.

Që të jetë më ironike, sot fshati ka një banorë, i cili është në prag të diplomimit në mjekësi. Vështirësitë e jetës e pengojnë që të përfundojë studimet. Ky student merret me blegtori që të mbijetojë familja e tij.

Sot jemi në vitin 2016 dhe asnjëra parti politike nuk ka bërë asgjë për ta rikthyer në punë këtë ambulancë, ndërkaq fshatarëve u duhet t’ia mësyjnë qytetit, qoftë edhe për një kontrollë rutinore mjekësore. Shteti ka financuar në shëndetësi, por deri tani, ambulanca e Lisecit nuk ka qenë pjesë e këtyre planeve.

Nga fushata e deritanishme, duket sikur Liseci do të pretë edhe më gjatë për një ambulancë dhe fshatarët do të vazhdojnë të bëjnë rrugë të gjatë për të arritur te mjeku. Mbase kjo ambulancë do të jetë pjeë e premtimeve milionëshe në shëndetësi./Telegrafi/

Exit mobile version