Site icon Telegrafi

Amorim mund të marrë te Unitedi tre lojtarë nga Sportingu, por Gyokeres nuk është në mesin e tyre

Ruben Amorim në ditët në vijim pritet të bëhet trajneri i ri i Manchester United, i cili do të sjellë me vete në Old Trafford tre futbollistë me të cilët pati sukses te Sporting Lisbona.

Edhe pse tifozët e Unitedit kishin shpresuar se Amorim do të insistonte në sjelljen e sulmuesit vrasës suedez, Viktor Gyokeres, ai beson se Unitedi duhet të freskohet në mbrojtje dhe në krahë.

Kështu, sipas mediave angleze, Amorim u ka dorëzuar drejtuesve të Unitedit një listë në të cilën janë emrat e Gonzalo Inacio, Marcus Edwards dhe Pedro Goncalves.

Inacio (23-vjeçar) është një qendërmbrojtës portugez të cilin Liverpooli dëshiron ta sjellë dhe Amorim dëshiron të reagojë shpejt dhe të parandalojë që kjo të ndodhë. Klauzola e tij e blerjes është 61 milionë euro.

Edwards (25-vjeçar), i rritur në radhët e të rinjve të Tottenham Hotspur, dominon pozicionin e sulmuesit të krahut të djathtë dhe në 116 ndeshje me fanellën e Sportingut ka shënuar 22 gola dhe 26 asistime.

Goncalves (26-vjeçar), i cili shënoi 81 gola dhe 56 asistime në 187 ndeshje, është gjithashtu mbresëlënës në pozicionin e sulmuesit të krahut të majtë nën drejtimin e Amorimit.

Megjithatë, tifozët e United patjetër do t’i jepnin të tre për Gyokeres, i cili është në formën më të mirë në Evropë së bashku me Erling Haaland, dhe ka shënuar 57 herë me 19 asistime në 64 paraqitje. Por, sipas të gjitha llogarive, ai do të bëhet një lojtar i ri i Barcelonës. /Telegrafi/

Exit mobile version