Nga shkurti i këtij viti, Drejtori i Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu, ka të ngritur një aktakuzë nën dyshimin e shpërdorimit të detyrës zyrtare. Bashkë me të, Prokuroria ka akuzuar edhe tre inspektorë të kësaj komune, të cilët ishin suspenduar, por një vendim i tillë nuk është ndërmarrë për drejtorin Shefkiu.
Në një përgjigje me shkrim për KTV-në, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë të jetë në pritje të një përgjigjeje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Në muajin prill, zëvendësministri Bajram Gecaj i kishte thënë “Kohës Ditore” se kjo çështje është kompetencë e kryetarit të Komunës.
Megjithatë, si Gecaj, ashtu edhe zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie, nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës për të treguar nëse do t’i kthejnë një përgjigje komunës së Gjilanit.
Në Komunën e Prizrenit, rishtazi drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj, u dënua me tri vjet burg nga shkalla e parë për shpërdorim të detyrës. Çoçaj bëri të ditur se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga pozita, duke paralajmëruar ankesë ndaj vendimit në Gjykatën e Apelit.
Dallimi ndërmjet këtyre dy komunave është se në atë të Prizrenit, edhe vetë kryetari i saj, Ramadan Muja, përballet me drejtësinë, ndërsa lënda e tij pritet që në muajin shtator të trajtohet në Gjykatën e Apelit.
Për pjesëtarë të subjekteve opozitare, një situatë e tillë është e papranueshme.