Site icon Telegrafi

Amnistia fiskale në Shqipëri, Dhoma Amerikane e Tregtisë rekomandon tërheqjen e kësaj nisme: Rreziqet tejkalojnë ndjeshëm përfitimet

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka shprehur sot shqetësimin e saj mbi projektligjin e amnistisë fiskale, që ka hyrë në fazën e konsultimit publik, në një moment sensitiv të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në një njoftim për shtyp, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shtuar se projektligji nuk ofron garanci të mjaftueshme që individët e implikuar në veprimtari kriminale do të përjashtohen nga amnistia.

“Nëse miratohet, legjislacioni do të minonte përpjekjet për të përmirësuar klimën e biznesit dhe investimeve, duke shpërblyer konkurrencën e pandershme. Ne gjithashtu vlerësojmë se pozita e Shqipërisë në programet ndërkombëtare të monitorimit mbi pastrimin e parave do të rrezikohej dhe si rrjedhojë reputacioni i vendit do të dobësohej”, ka theksuar Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Lexo po ashtu Amnistia fiskale, qeveria shqiptare thërret bizneset për konsultim

“Si konkluzion, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri shprehet se rreziqet e projektligjit të ri tejkalojnë ndjeshëm përfitimet e tij dhe rekomandon tërheqjen e kësaj nisme”, përmbyllet njoftimi.

Sipas projektligjit, paratë e fituara me evazion fiskal, kontrabandë apo mashtrimit fiskal, mund të deklarohen, kundrejt një takse qe shkon 5 deri në 10 për qind të shumës.

Subjektet përfituese mund të deklarojnë deri në 2 milionë euro dhe më pas çlirohen nga frika e ndjekjes penale. /Telegrafi/

Exit mobile version