26 të burgosur që kanë kaluar pesë vite në Burgun e Sigurisë së Lartë kanë hedhur akuza se Paneli me Lirim me Kusht ka vepruar në kundërshtim me ligjin ndaj kerkesës së tyre për tu liruar me kusht
Kërkesën e parë e bëri me datën 13.04.2022, kërkesa refuzohet për 12 muaj, ndonëse raporti i Ekipit profesional për të dënuarin është i mirë.
Kërkesa e dytë më 24.05.2023, kërkesa refuzohet për 10 muaj, ndonëse raporti përsëri për të dënuarin është i mirë.
Si ky i dënuar edhe 25 të privuar nga liria që aktualisht gjenden në Burgun e Sigurisë së Lartë kanë një hall të cilin kanë vendosur ta shprehin nëpërmjet një letre.
Sipas tyre ata meritojnë të lirohen me kusht pasi që kanë vuajtur 2\3 e dënimeve të shqiptuara.
Kjo pasi që Paneli me Lirim me Kusht nuk ia ka pranuar këtë kërkesë, ata kanë zgjedhur t’i drejtohen Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Ministres së Drejtësisë dhe Avokatit të Popullit.
Këtë letër e ka siguruar TV Dukagjini, ndërsa ankesë bazike e kanë faktin që sipas tyre secili i burgosur merr refuzim nga Paneli, ku aplikon për lirim me kusht herën e parë.
“Është standard i Panelit me Lirim me Kusht që aplikantit të lirimit me kusht ti refuzohet kërkesa për 12 muaj, herën e dytë 10 muaj, herën e trete 8 muaj e kështu me radhë. Arsyetimet e PLK-së për refuzimin e kërkesës për lirim me kusht janë paushalle dhe në kundërshtim me ligjet e republikës së Kosovës”, thuhet në letër.
Sipas avokatit të njërit nga nënshkruesit, të burgosurit, Shkumbin Mehmeti, Paneli me Lirim me Kusht po përdorë standard të gabuar.
“Në bazë të nenit 90 të kodit penal, paneli për lirim me kusht duhet të aprovoj kërkesat për lirim me kusht në rast se nga organi përgjegjës, në këtë rast nga burgu vije raporti që të njëjtit kanë sjellje të mira”, ka thënë Asdren Bytyqi – avokat.
Në ndërkohë, kryesuesja e Panelit me Lirim me Kusht, Valdete Daka ndërmjet telefonit i tha televizionit që të pritët për një përgjigje zyrtare ndonëse pyetjet janë dërguar në këtë institucion që nga java e kaluar.
“E merr një përgjigje zyrtare prej Panelit sepse nuk janë vendimet e mija. Por me ligj nuk dmth që veç nëse i ke majt 2\3 mundesh me u liru patjetër, duhet të plotësohen disa kushte aty, pastaj me u liru”, ka deklaruar Daka.
Ndonëse letra e të burgosurve kishte adresë kryesore Ministrinë e Drejtësisë, televizioni iu drejtua me pyetje edhe këtij institucioni.
Por, të njëjtit përgjegjësinë për përgjigje ia hodhën Shërbimit Korrektues të Kosovës.
“Në referim të kërkesës tuaj lidhur me kërkesën e të burgosurve nga Burgu i Sigurisë së Lartë, ju njoftojmë se e njëjta fillimisht është pranuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe regjistruar me Nr. të Protokollit 1134 datë 05/09/2023, ndërsa Kabineti i Ministres së Drejtësisë të njëjtën e ka pranuar përmes e-malit zyrtar me datë 06/09/2023. Ju informojmë se kërkesa është duke u shqyrtuar dhe ne do të veprojmë brenda kompetencave dhe obligimeve ligjore lidhur me pretendimet e ngritura nga të burgosurit e pavijonit 2 në Burgun e Sigurisë së Lartë”, thuhet nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Aktualisht në gjithë vendin në vuajtje të dënimit janë 1022 persona./RTV Dukagjini/