Ligji për amnisti është bërë një ndër konfrontimet më të ashpra dhe më mbjellës të nxitjeve për pakënaqësi tek shqiptarët.
Në aspektin emocional, kundërshtimi është sigurisht i mbështetur edhe nga ata që ishin pjesë e arritjes së konsensusit të brishtë për amnisti. Por, pranimi ishte pjesë e pakos së marrëveshjes së 19 prillit të këtij viti.
Përkundër formës, të metave apo pakënaqësive që posedon ky ligj, megjithëkëtë nuk guxohet të luhet dhe të përdoret për interesa të ngushta partiake, pasi që rrezikon interesin e përgjithshëm!
Ligji për amnisti duhet të shikohet dhe të analizohet nga arsyet bazike të përpilimit të tij. Në radhë të parë, duhet të bëhen vlerësimet dhe shpjegimet nga interesi i përgjithshëm kombëtar se sa dëme apo përfitime i sjell ky ligj shtetit tonë.
Amnistia është pjesë e politikës së vendit tonë që dëshiron ta shtrijë kontrollin mbi pjesën e territorit të pakontrolluar deri më tani në Mitrovicën e veriut. Me këtë politikë synohet që të rehabilitohen të gjithë ata individë që kanë kryer vepra të kundërligjshme, por që tash e tutje nënshtrohen dhe pranojnë verdiktin e ligjeve që të jenë pjesë e institucioneve të shtetit të Kosovës. Andaj, shtrohet pyetja e thjesht: ne deri tani nuk kemi mundur t’i gjykojmë këta dorasë të veprimeve të kundërligjshme, atëherë a ma mirë të fillojmë nga pika zero apo fare të mos fillojmë ta shtrijmë sistemin ligjor në këtë pjesë të Kosovës
Nga aspekti juridik dihet që ndëshkimi për vepër penale ka dy efekte parimore. Njëri efekt është që të ndëshkojë dorasin e krimit në proporcion me veprën e kryer dhe me këtë të ”paguajë” për dëmet që i ka shkaktuar dëmtuesit. Kurse, efekti i dytë është që përmes dënimit të korrektojë sjelljen e dorasit dhe të bëjë rishoqërizimin dhe integrimin në jetën e shoqërisë.
Bazuar në dy efektet parimore të lartpërmendura, mund të thuhet që edhe Ligji për amnisti i parashikon këto parime. Shtrohet pyetja: si mund të argumentohet një gjë e tillë?
Një ndër argumentet e para është se këtë persona që do të amnistohen kanë kryer vepra për të sulmuar krijimin e shtetit të Kosovës dhe lirinë e popullit shqiptar. Mirëpo, mundësia e këtyre dorasëve për të mohuar krijimin e shtetit të Kosovës dhe për të cenuar lirinë është pamundësuar dhe tentativat e këtilla nuk janë aktuale.
Përpos kësaj, këta doras që ishin kundër shtetit të Kosovë deri dje, pas amnistisë do të detyrohen të mbajnë një qasje tjetër e cila duhet të përkojë me marrëveshjen e nënshkruar nga pala kosovare. Në këtë mënyrë po bëhet rehabilitimi i tyre përmes marrëveshjes për amnisti që ishte domosdoshmëri për ecje të mëtutjeshme drejt integrimit të Kosovës në BE.
Në këto suaza duhet të shikohet, matet e të vlerësohet amnistia dhe të mos lejohet që të dëmtohet interesi i përgjithshëm i popullit të Kosovës, i cili për aspiratë shekullore ka të jetë pjesë pjesë e botës demokratike. Natyrisht, edhe demokracia shkakton dhimbje, sepse shpeshherë duhet të merren vendime jo gjithherë të pëlqyera, por po bëhen kompromise për hir të ruajtjes së stabilitetit dhe paqes.