Kapiteni i Kosovës dhe anëtari i klubit italian, Napoli, Amir Rrahmani është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit 2021 në manifestimin tradicional të FFK-së “Laureatët e Vitit”.
Rrahmani ka treguar formë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti, si në paraqitjet me ekipin dardanë, ashtu edhe me klubin e tij, duke e fituar me meritë çmimin “Fadil Vokrri”.
Ai nuk arriti të ishte i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të ndeshjes së sotme në Serie A kundër Spezias, por nëpërmjet një video-mesazhi falënderoi FFK-në për vlerësimin ndaj tij.
“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Ky çmim për mua është një privilegj i madh dhe një shtysë që të punoj edhe më shumë për të ardhmen. Për mua ka qenë viti më i suksesshëm, ndoshta më i miri në karrierën time, por besoj se është vetëm fillimi, sepse kur arrin në këto nivele gjithmonë mundohesh të përmirësohesh sa më shumë”.
“Po e mbyllim një vit jo edhe aq të mirë për kombëtaren sepse kemi pritur rezultate më të mira, por futbolli e ka kështu. Duhet të besojmë që në të ardhmen të kualifikojmë Kosovën në Evropian ose Botëror, pse jo”.
“Faleminderit edhe njëherë për besimin dhe shpresoj që të kthemi më të fortë në kualifikimet e ardhshme, ju përshëndes të gjithëve”, ka thënë Rrahmani. /Telegrafi/