Site icon Telegrafi

Ameti: 17 shkurti, datë e ndritshme e arsimit sipëror në gjuhën shqipe

Me rastin e 22 vjetorit të ligjëratave të para, në emër të studentëve, profesorëve dhe punonjësve të tjerë, rektori Vullnet Ameti i ka uruar të gjithë shqiptarët në këtë ditë të shënuar të Universitetit të Tetovës, njofton Telegrafi Maqedoni.

‘Kjo datë shënon ditën më të ndritshme të arsimit sipëror në gjuhën shqipe dhe ditën e veçantë për shqiptarët e Maqedonisë, sepse vendimi historik për themelimin e Universitetit me mësim në gjuhën shqipe ishte një hap historik dhe vizionar, për zgjidhjen njëherë e përgjithmonë të çështjes së arsimit sipëror në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë, ndërsa fillimi i ligjëratave të para shënon datën e fitores së madhe të arsimit mbi padrejtësitë shekullore, shovinizmin dhe barbarinë mbi arsimin në gjuhën tonë amtare.

Më 17 shkurt të vitit 1995, në fshatin Poroj u mbajtën ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës, i cili atë kohë ishte i kontestuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, nisja e ligjëratave u shoqërua edhe me konfrontim mes qytetarëve dhe policisë, i cili përfundoi me shumë të lënduar, të burgosur dhe me rënien e dëshmorit të arsimit në gjuhën shqipe, Abdylselam Emini.

Sot, më 17 shkurt 2017, ne drejtuesit e Universitetit, mësimdhënësit dhe studentët, i përkujtomë këto ngjarje, i përkujtojmë ligjëratat e para të mbajtura nga profesorët e Universitetit të parë shqiptar në Maqedoni.

Ende janë të freskëta kujtimet që na e sjellin pamjen e asaj kohe, kur Universiteti i Tetovës ishte më shumë se një institucion arsimor, ishte një tempull i shenjtë i diturisë që po lindte në horizontin e dritës dhe diturisë për një të ardhme më të ndritur të brezave të rinj.

Përmes këtij urimi, i uroj nga zemra drejtuesit, profesorët dhe studentët e gjeneratës së parë të Universitetit, qytetarët e Tetovës, të cilët i shndërruan shtëpitë e tyre në mësonjëtore të para të këtij tempulli, Bashkësinë Islame në vendin tonë, si dhe të gjithë ata që e përkrahën financiarisht këtë institucion, në të gjitha format dhe me të gjitha mundësitë. I falënderoj profesorët që erdhën nga të gjitha anët e vendit tonë, sidomos profesorët nga Tirana dhe Prishtina, të cilët vite me radhë mbajtën ligjërata dhe ushtrime me studentët e këtij Universiteti, nën kërcënimin e policisë dhe në të shumtën e rasteve pa pagesë dhe në kushte tejet të vështira.

Në fund, edhe njëherë ju uroj suksese në punën e tuaj arsimore-shkencore, hulumtuese dhe aplikative, me dëshirat më të mira për ju në përmbushjen e misionit tonë të përbashkët, për ardhmëri më të lumtur të brezave të rinj, për përparimin e vendit dhe progresin e përgjithshëm’.  /Telegrafi/

Exit mobile version