Telegrafi

Amerikanja dënohet me 9 vjet burg pasi vodhi ‘chicken wings’ në vlerë të 1.5 milion dollarëve

Një ish-drejtoreshë e shërbimit ushqimor në një distrikt shkollor në zonën e Chicagos është dënuar me nëntë vjet burg pasi pranoi se kishte vjedhur krahë pule (chicken wing) në vlerë të 1.5 milion dollarëve.

Vera Liddell, e cila shërbeu në shkollën Harvey School District 152 pranë Chicagos, është dënuar për vjedhje dhe udhëheqje të një ndërmarrje kriminale, raportuan mediat amerikane.

Ajo u deklarua fajtore më 9 gusht për akuzat dhe mori një dënim me nëntë vjet burg.

Gruaja 68-vjeçari vodhi grumbujt e mishit të destinuara për studentët që vijonin mësimin nga distanca gjatë pandemisë COVID-19, shkruan usatoday, duke cituar prokurorët e Cook County.

Puna e Liddell përfshinte paketimin e porosive për Gordon Food Services, furnizues kryesor për distriktin shkollor, thanë prokurorët, sipas ABC News. Ajo dha urdhrat dhe bëri faturimin, por i mbajti krahët e pulave për veti midis korrikut 2020 dhe shkurt 2022, thanë prokurorët.

Në periudhën midis gushtit dhe nëntorit 2021, Liddell porositi më shumë se 11 mijë pako me krahët e pulave nga furnizuesi i ushqimit dhe më pas i mori porositë me një furgon të distriktit, tha CBS News, duke cituar prokurorët.

“Mashtrimi masiv filloi në kulmin e COVID gjatë një kohe kur studentët nuk lejoheshin të ishin fizikisht të pranishëm në shkollë. Edhe pse fëmijët mësonin nga distanca, distrikti shkollor vazhdoi t’u siguronte nxënësve ushqime që familjet e tyre mund të merrnin”, shkruan në njoftimin e prokurorisë.

Operacioni i vjedhjes së krahëve të pulave u zbulua në vitin 2023 kur një auditim zbuloi se departamenti i shërbimit të ushqimit të distriktit e tejkaloi buxhetin vjetor me 300 mijë dollarë në gjysmë të vitit shkollor, thanë prokurorët, sipas ABC News.

Menaxheri i biznesit për rrethin gjeti më pas faturat e krahëve të pulave, të cilat ishin të çuditshme, sepse ishte një artikull ushqimor që nuk do t’u shërbehej studentëve sepse përmbanin eshtra, njoftoi mediumi, duke cituar të dhënat e gjykatës. /Telegrafi/