Historia vjen nga Georgia, ku një burrë ra në një pus të braktisur, 15 metra të thellë, teksa kërkonte telefonin e tij.
Familja e shqetësuar ka lajmëruar policinë pasi ai nuk është kthyer në shtëpi dhe më pas janë zbardhur detajet e ngjarjes së çuditshme.
Gjithçka filloi kur burri humbi telefonin personal në pyllin e Cobb County. Ai gjurmoi sinjalin e pajisjes së tij duke përdorur telefonin e gruas dhe më pas ra në pus.
Familja e kishte lajmëruar policinë, e cila ka organizuar operacionin e shpëtimit. Në një moment, ata dëgjuan të qarat e burrit të pafat dhe e kuptuan se ku ishte, raporton dailymail.
“Së pari gjetëm veturën dhe më pas gjetëm pusin. Kur lëviz natën pa elektrik dore të mirë, mund të futesh lehtësisht në telashe”, thanë autoritetet.
Zjarrfikësit publikuan një video të shpëtimit dhe i gjithë operacioni zgjati tetë orë. Fatkeqi ishte i vetëdijshëm pasi u nxor nga vrima e thellë me litar.
Ai u dërgua në spital dhe mjekët presin që ai të shërohet shpejt. Është një mrekulli që ai i mbijetoi rënies nga një lartësi kaq e madhe. /Telegrafi/