Telegrafi

Amerikani i dehur u përpoq të fajësonte qenin e tij për shpejtësinë, e vuri para timonit

Një shofer që dyshohet se ishte i dehur në Kolorado pa sukses u përpoq të fajësonte qenin e tij për shpejtësinë, sipas policisë.

Policia e Springfield shkroi në Facebook se përpjekja për transferimin e përgjegjësisë ndodhi vonë të shtunën në mbrëmje, kur oficerët ndaluan një automjet që udhëtonte 84 kilometra në orë në një zonë 50 km/h, transmeton Telegrafi.

“Shoferi u përpoq të ndërronte vendin me qenin i cili ishte në sediljen e pasagjerit, ndërsa oficeri i policisë u afrua dhe vëzhgoi të gjithë procesin. Më pas burri doli nga pjesa e pasagjerit të automjetit dhe pretendoi se nuk po drejtonte”, thanë oficerët të dielën.

Kur policia e pyeti të dyshuarin nëse kishte konsumuar alkool, ai u largua duke lënë pas automjetin dhe qenin.

Ai u kap rreth 20 metra larg. Akuzat ndaj shoferit, i cili ka edhe akuza të tjera kundërvajtëse, përfshijnë dyshimin për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe kundërshtimin e arrestit.

“Qeni i është dhënë për ruajtje të njohurit të shoferit, ndërsa ai është në paraburgim. Qeni nuk do të marrë asnjë denoncim dhe është liruar vetëm me paralajmërim”, ka bërë shaka policia.