Site icon Telegrafi

Amerikanët zhbllokojnë fshatrat shqiptare në veri

KFOR-i që nga mesdita është duke i larguar barrikadat, të cilat 48 orë më parë i kishin vendosur grupet serbe, duke bllokuar tërësisht banorët shqiptarë të Leposaviqit.

Heqjen e barrikadave të vendosura nga grupe serbësh dy net më parë e ka konfirmuar edhe Behxhet Hetemi, banor i fshatit Bistricë. “Na dolën në ndihem ata që kemi shpresuar, pra KFOR-i amerikan”, ka thënë Hetemi, transmeton Koha.net.

Largimin e barrikadave nga ane e KFOR-it në rruga, që të shpie për tri fshatra shqiptare të Leposaviqit, e ka konfirmuar edhe policia në Mitrovicë.

“KFOR-i me makinerinë e tij është duke i larguar barrikadat, që janë vendosur nga grupe serbësh, në rrugën që të shpie për në tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

“ Deri më tani në atë pjesë, ku është duke punuar KFOR-i, situata është e qetë dhe nuk ka asnjë qytetar të tubuar atypari”, ka pohuar zëdhënësi i policisë.

Të premten, në orët e vona të pasdites, banorët shqiptarë të fshatrave në veri të Mitrovicës, që mbetën të izoluar nga barrikadat serbe, bashkërisht kanë ndërmarrë iniciativë për largimin e një barrikadë nga rruga e tyre. Por, për shkak të defektit në buldozer, u detyruan të heqin dorë nga qëllimi. /Telegrafi/
 

Exit mobile version