Site icon Telegrafi

Amerikanët miratuan shitjen e tetë helikopterëve të fuqishëm ushtarak Black Hawk për Kroacinë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të helikopterëve Black Hawk dhe pajisjeve dhe shërbimeve përkatëse për Kroacinë si pjesë e një kontrate me vlerë 500 milionë dollarëshe.

Në deklaratën e Agjencisë për Bashkëpunim të Sigurisë të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes thuhet se Kroacia ka kërkuar tetë helikopterë Black Hawk.

Ky i fundit është një helikopter ushtarak me shumë qëllime dhe përdoret në rreth 30 vende.

Lexo po ashtu Arrijnë në Shqipëri helikopterët amerikanë Black Hawk, SHBA e quan historike

“Shitja e propozuar do të mbështesë politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një aleati të NATO-s, i cili mbetet një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Kroacisë për të penguar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme. Gjithashtu do të mbështesë operacionet e koalicionit, si dhe të promovojë ndërveprueshmërinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcat e tjera të NATO-s”, thuhet në deklaratë.

Ai ka shtuar se Kroacia nuk do ta ketë të vështirë t’i integrojë këto pajisje në forcat e saj të armatosura.

Departamenti i Shtetit miratoi më parë shitjen e dy helikopterëve Black Hawk UH-60M dhe pajisjeve përkatëse në Kroaci për 115 milionë dollarë, dhe pas kësaj SHBA-të i dhuruan Kroacisë dy helikopterë të tjerë, të cilët arritën në vitin 2022. /Telegrafi/

 

Exit mobile version