Policia kufitare e SHBA-ve ka konfiskuar 13 tonelata parukë të prodhuara nga flokët e njerëzve.
Në portin e Nju Jorkut, Newark ka konfiskuar 13 tonelata flokë të njerëzve, kurse porosia ishte bërë nga Sinkyang i Kinës, transmeton Telegrafi.
Kjo sasi e konfiskuar e flokëve ka ngritur dilemat për shkelje të drejtave të njeriut, e vlera e “mallit” të konfiskuar kap vlerën e 800 mijë dollarëve.
Sinkyang është një rajon autonom në veriperëndim të Kinës, në të cilin jetojnë 11 milionë Ujgurë, kryesisht të fesë Islame.
Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson se mbi një milion Ujgurë janë dërguar nëpër kampe, ku janë ekspozuar torturave dhe tretmanit jonjerëzor, duke mos anashkaluar për asnjë moment edhe keqtrajtimin seksual që u bëhet, përfshirë punën e detyrueshme dhe vrasjet.
Ish-të burgosurit kanë deklaruar për CNN se gjatë qëndrimit nëpër këto kampe, shumë pak u është dhënë rasti të flenë dhe se vazhdimisht kanë qenë të uritur duke i detyruar me forcë të marrin vaksina të ndryshme.
Kjo është hera e dytë që policia kufitare amerikane ka konfiskuar prodhime nga Kina, për të cilët dyshohet se janë bërë nga flokët e të burgosurve.
Kina vazhdimisht kritikohet për tretmanin që ua bën Ujgurëve, kurse në qershor presidenti Donald Trump ka nënshkruar një dokument që parashikon dënimin e Pekinit për represionin që ua bën pakicave në këtë vend. /Telegrafi/