Telegrafi

Amerikanët kërkojnë tri gjëra: Ambasada e SHBA-së njofton rreth takimit të përfaqësuesit të Trumpit me Vuçiqin

Nënsekretari për Çështje Politike në Departamentin Amerikan, David Hale, ka bërë thirrje, gjatë bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në heqjen e taksës të cilën Prishtina e ka vendosur ndaj produkteve serbe, por edhe ndalimin e provokimeve reciproke, si dhe nisjen e dialogut.

Kështu ka bërë të ditur Ambasada e SHBA në Beograd në llogarinë e saj në Twitter, përcjell Telegrafi.

“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifave, ndalimin e provokimeve reciproke dhe vazhdimin e dialogut. Nënsekretari Hale në një bisedë me Presidentin (Vuçiq) theksoi se SHBA e vlerëson partneritetin me Serbinë dhe duan për të ndërtuar marrëdhënie edhe më të forta”, është shkruar në përshkrimin e një fotografie të takimit.

Ndryshe, Hale në prag të mbërritjes në Beograd ka thënë se ka një shans që këtë vit të ketë një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të japin një recetë për një zgjidhje.

Ai mbërriti në Beograd një ditë pasi parlamenti i Prishtinës miratoi një platformë për dialog me Beogradin.

Gjithashtu, siç ka thënë më herët Departamenti i Shtetit, Hale do të vizitojë edhe Prishtinën për të biseduar me udhëheqësit e institucioneve në Kosovë, ka thënë të jetë “një shans historik për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, dhe të kërkojë mundësi për arritjen e një marrëveshjeje. /Telegrafi/