Site icon Telegrafi

Amerikanët interesohen për projekte të riciklimit në Kosovë

Përfaqësues të kompanisë Ekobase Global, u pritën në një takim nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, të cilin e njoftuan me planet për projekte konkrete në fushën e riciklimit të gomave të vjetra dhe energjisë së ripërtrirë.

Tomaz Groff, drejtori i kompanisë për Evropë, tha se në Kosovë kanë ardhur për të shikuar edhe mundësi të tjera të investimit në fushën e energjisë së ripërtrirë.

“Ekobase Global Inc. është duke implementuar projekte të ngjashme edhe në Slloveni, Spanjë, ndërsa kemi dëshirë që të përfshijnë edhe Kosovën në këtë iniciativë që është duke marrë përmasa globale”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, ministri Gashi informoi përfaqësuesit e kësaj kompanie lidhur me mundësitë të cilat ofrohen sipas Ligjit për Investimeve Strategjike.

“Ne momentalisht konsiderohemi si shteti më liberal për sa i përket mundësive të cilat u ofrojmë investitorëve që potencialisht kualifikohen si investitorë strategjik në fushën e minierave, energjisë dhe turizmit. Deri tani kemi marrë aplikacionin e parë në fushën e energjisë solare nga një kompani shqiptaro – gjermane, ndërsa presim së paku edhe 4 aplikacione në fushën e minierave”, tha ministri Gashi.

Krejt në fund u dakorduan që në vizitën e ardhshme në Kosovë të diskutohen edhe modalitetet konkrete të projektit në fjalë.

Ekobase Global Inc. është kompani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me degë në disa shtete të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/

Exit mobile version