Sipas një ankete, rezultatet e së cilës u bënë publike sot del se:
1. Një e katërta e amerikanëve nuk e dinë se Toka rrotullohet rreth diellit. Mandej më shumë se gjysma e tyre nuk e dinë se njeriu e ka prejardhjen nga majmuni; së paku kështu thotë një anketë e udhëhequr na Fondacioni Kombëtar i Shkencave, rezultatet e së cilës u publikuan të premten 14 shkurt 2014.
2. Nga 2200 të anketuar, 74 për qind e dinë se toka rrotullohet rreth Diellit kurse vetëm 52 për qind kanë njohuri se njeriu evoluoi nga majmuni.
3. Nga gjithsejtë nëntë pyetje të parashtruara mbi njohuri me të vërtetë themelore nga fizika dhe biologjia, janë dhënë mesatarisht 6.5 përgjigje.
4. Pavarësisht këtyre rezultateve të mësipërme, kur i kthehemi njohurive shkencore, mbi 90 për qind të amerikanëve të anketuar, thanë se ishin " shumë të interesuar " ose "pak a shumë të interesuar " për zbulime të reja mjekësore.
5. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara janë relativisht lartë të plasuar në lidhje me " edukimin joformal shkencor", sepse:
6. Gati 60 për qind e amerikanëve kanë vizituar zookopsht, akuarium, muze të historisë natyrore apo të shkencës dhe teknologjisë .
Në vazhdim të anketës, del se:
7. 90 për qind e pjesëmarrësve besojnë se dobitë nga shkenca tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm. Së fundi, një e treta e të anketuarve besojnë se shkenca dhe teknologjia duhet të financohen akoma më shumë.
8. Sipas anketës, mbi 90 për qind e amerikanëve besojnë se shkencëtarët "ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të vështira" dhe se "ata punojnë për të mirën e njerëzimit", tha John Besley, asistent profesor për marrëdhënie me publikun pranë Universitetit të Miçiganit, i cili i ka analizuar rezultatet e këtij hulumtimi.
9. Profesor Besley prezantoi rezultatet e anketës në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës (AAAS), në takim e Çikagos të 12-17 shkurtit.
Sipas një ankete krahasuese imagjinare por reale, te na del se:
1. Të gjithë shqiptarët e dinë se Toka rrotullohet rreth Diellit sidomos rreth parasë.
2. S’ka nevojë me pyet 2200 vetë; krejt shqiptarët kanë dëgjuar se njeriu evoluoi nga majmuni por vetëm rreth 1 për qind i zënë besë këtyre thashethemnajave.
3. Pyetje të lehta për ne, janë nëntë, por na iu përgjigjemi edhe 900 mijë me qenë dhe atë 100 për qind pa gabime, ani jo veç në fizikë e biologji por edhe në politikë.
4. He he, zbulime mjekësore, këtu jemi shumë para amerikanëve. Kush prej nesh ka nevojë për rekomandime të mjekut për barna?! Për bebe, për të mëdhenj, për njerëz para vdekjes, turr e në barnatore, klap-klap e mbushim qesen me antibiotikë dhe e "shërojmë" të sëmurin.
5. Edukimi shkencor te na nuk mungon, por shqiptarët e kemi në gjen edukimin politik, andaj këtu në këtë lëmi amerikanët janë më të fortë.
6. Mandej amerikanët janë para nesh me shkencë joformale se me bë me thënë ndër shqiptarë që ke qenë në kopsht zoologjik, menjëherë ta kthejnë: "Sa vjet ndejte? ", "A kishe mjaftë vizitë?", "Pse nuk të mbajtën ende?"
7. Eh sa për të besuar në dobitë nga shkenca, jemi të pamposhtur. Me na gulatë me ndotje, na se kemi dert, as nuk dalim me protestua kundër, sepse të protestosh, do të thotë të jesh kundër "dobive" që të sjell shkenca!
8. Edhe vet amerikanët, mbi 90 për qind besojnë se shkenca ndihmon në zgjedhjen e problemeve ndaj kur sëmuremi nga ajri i çatalluar, shklup e në barnatore, rras qeset e najlonit me "mrekullira" shkencore kundër helmeve "shkencore".
9. Pasi e kemi për gjenesh shkencën, te na nuk ka gjasa me dal çdofarë lloj asistenti me analizua e me dhënë mendim. I kemi lalo: akademikë, doktorë, magjistra, të cilët na i ftillojnë punët më së miri.