Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë informacione për liderin e ri të organizatës terroriste al-Qaeda. Sipas njohurive të tyre bëhet fjalë për egjiptianin, Saif al-Adel.
“Vlerësimi ynë është në përputhje me atë të OKB-së – se udhëheqësi i ri i al-Qaedas, Saif al-Adel gjendet në Iran”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Një raport i Kombeve të Bashkuara të publikuar të martën tha se pikëpamja mbizotëruese midis vendeve anëtare është se Adel është tani udhëheqësi i grupit terrorist.
Siç thuhet më tej në raportin e OKB-së, grupi nuk e shpalli zyrtarisht atë “emir” për shkak të ndjeshmërisë ndaj shqetësimeve të autoriteteve talebane në Afganistan, të cilët nuk donin të pranonin se Zawahiri u vra vitin e kaluar nga një raketë amerikane në një shtëpi në Kabul, sipas raportit të OKB-së.
Adel (62) është një ish-nënkolonel i forcave speciale egjiptiane dhe një figurë e gardës së vjetër të al-Qaedas, raporton france24.
Ai ndihmoi në ndërtimin e kapaciteteve operacionale të grupit dhe trajnoi disa nga rrëmbyesit e përfshirë në sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/