Site icon Telegrafi

Amerika voton: Triumfi i ri i Trumpit apo rikthimi i demokratëve?

Amerikanët janë duke votuar në zgjedhjet për Kongres, dy vite pas ardhjes në pushtet të presidentit Donald Trump.

Në SHBA nuk ekziston Komisioni Qendror Zgjedhor që mban evidencë për numrin e votuesve, por analistët në Teksas, Nju Jork dhe Meriland kanë deklaruar për France Press se janë të befasuar me numrin e votuesve, transmeton Telegrafi.

Zgjedhjet janë organizuar në gjysmë të mandatit të presidentit Trump. Megjithatë, të paktën 38 milionë amerikanë kanë votuar para kohe, që i bie 40 për qind më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të vitit 2014.

Dy vite pas ardhjes në pushtet, presidenti Barack Obama nga radhët e demokratëve kishte përjetuar humbjen e partisë së tij, që asokohe i duhej patjetër fitorja për votimin e reformave të tij për shëndetësinë.

Dhe nëse në këto zgjedhjet republikanët pësojnë humbje do të ishte një humbje shumë e madhe për Trumpin, i cili po i cilëson zgjedhjet për Kongres si test të popullaritetit të tij, shkruan France Press.

Në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve, Senat dhe funksion të guvernatorit në SHBA, kanë kandiduar një numër rekord i femrave. Siç raporton WAVE3 dhe NBC, nga 529 femra që kanë kandiduar për Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, 260 kanë marrë përkrahjen e republikanëve dhe demokratëve.

Shumica e femrave kandidate për Dhomën e Përfaqësuesve vijnë nga radhët e demokratëve, ato janë 185 deri 52 tjera nga radhët e republikanëve. Në Dhomën e Përfaqësuesve aktualisht janë 84 femra dhe në Senat 23.

Amerikanët janë duke zgjedhur 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve, mandati i të cilëve është dyvjeçar dhe 35 anëtarë nga 100 anëtarë të Senatit.

Gjithashtu pritet të zgjidhen guvernatorët nga 36 shtete.

Këto zgjedhje do të jenë një test për presidentit Trump dhe Republikanët, por edhe për Demokratët të cilët duhet ta shohin se nëse janë rimëkëmbur nga humbja në zgjedhjet e fundit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version