Site icon Telegrafi

Amerika “ringjall” aeroplanin luftarak më vdekjeprurës (Foto)

Pesë vjet më parë, Lockheed Martin, kompania më e madhe amerikane e angazhuar në prodhimin e aeroplanëve dhe teknologjisë hapësinore, kishte pezulluar programin e zhvillimit të aeroplanit luftarak F-22 Raptor.

Fokus i ri i industrisë ushtarake amerikane është bërë aeroplani luftarak F-35, por deklaratat nga Pentagoni sugjerojnë se F-22, aeroplani i parë luftarak i gjeneratës së pestë do të fillojë sërish të prodhohet, transmeton Telegrafi.

Rikthimin e aeroplanit luftarak F-22, e ka paralajmëruar senatori republikan nga Ohio.

“Në epokën kur Rusia përbën kërcënim me rimëkëmbjen e vet dhe agresivitetin e shfaqur haptazi të Kinës, kërkimet e mëtejshme të zhvillimit të F-22 janë të nevojshme”, ka deklaruar Mike Turner në Kongres.

Edhe gjenerali i forcave ajrore amerikane Mark Welsh, ka paralajmëruar këtë mundësi.

“Nuk mendoj se është ide e keqe. Mendoj se performancat e këtij aeroplani dhe sukseset e ekuipazhit i kanë hapur rrugë idesë së rikthimit në ‘skenë’. Potenciali i këtij aeroplani është vërtetë i jashtëzakonshëm”, ka deklaruar gjenerali Welsh.

Ushtria amerikane jo që planifikon të rifillojë prodhimin e aeroplanit më vdekjeprurës luftarakë, por edhe përmirësimin e performansave të tij. Ende nuk dihet se në çfarë sektori do të fokusohet ekipi i inxhinierëve në përmirësimin e performancës, por flitet se zhvillimi i mëtejmë i teknologjisë do të fokusohet në prodhimin e gjeneratës së gjashtë të këtij aeroplani, transmeton Telegrafi.

Çfarë posedon F 22 Raptor?

F-22 Raptor është aeroplani i parë në botë i gjeneratës së pestë që është futur në përdorim operacional. Shtetet e Bashkuara e kishin dërguar këtë gjuetar në një mision në Siri. F 22 Raptor mund të fluturojë më shpejtë sesa shpejtësia e zërit.

Qëllimi kryesor i Raptorit është dominimi i hapësirës ajrore, kurse qëllimi dytësor janë caqet në terren dhe lufta elektronike. Për luftëra të afërta manovruese, F-22 posedon topin M61A2 të kalibrit 20 mm me 480 predha.

F-22 karakterizohet me fluturimet në lartësi shumë të larta, me një shpejtësi tejet të madhe. Në të është e instaluar teknologjia më e sofistikuar (stealth) e spiunimit-kamuflimit.

Se sa është i vlefshëm ky aeroplan për Shtetet e Bashkuara, e tregon më së miri edhe Kongresi amerikan, që ka ndaluar eksportimin e tij madje edhe tek aleatët e tyre të besueshëm. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version