Site icon Telegrafi

“Amerika nuk llogarit më në Vuçiqin”, avokati serb: SHBA i sheh raketat “Javelin” si faktor paqeje në Ballkan

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, duke komentuar e kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin” nga SHBA, ka thënë se ky është një sinjal i qartë se SHBA-të nuk llogarisin më në Aleksandar Vuçiqin.

Reagimi i avokatit serb vjen pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i tha presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të tyre në kryeqytetin serb, më 11 janar se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, Javelin.

Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca serbe.

“Dy vjet më parë, pak para pushtimit të Ukrainës, për të cilin Putini informoi në vitin 2021, Aleksandar Vuçiq shpenzoi dhjetëra milionë euro për blerjen e tankeve ruse, me të cilat donte të realizonte skenarin e Donbasit në veri të Kosovës dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, sapo Putini të pushtonte Kievin”, ka shkruar Stojkoviq në platformën sociale “X”, transmeton Telegrafi.

“Tani SHBA-të po i japin Kosovës një ndalues të paprekshëm të atyre tankeve, sistemin raketor ‘JAVELIN’. Një sinjal i qartë se SHBA-ja nuk po llogarit më tek Aleksandar Vuçiq dhe se në vend të Vuçiqit, faktor i paqes në Ballkan po bëhet pajisja ushtarake amerikane sikurse ‘JAVELIN’. Zoti e bekoftë Amerikën!”, ka shkruar avokati serb.

Lexo po ashtu Amerika pranon kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave "Javelin"

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se përveç sistemit raketor “Javelin”, parashihet të blihen edhe sisteme tjera të armatimit.

“Ministria e Mbrojtjes mbështet Forcën e Sigurisë se Kosovës për t’i ndërtuar kapacitetet e mbrojtjes së territorit në koordinim me partnerët strategjikë, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara te Amerikës, në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës me ShBA-të ka program bashkëpunimi për blerje ushtarake direkt me ShBA përmes programit FMS (Foreign Military Sales)”, tha Maqedonci për RTV Dukagjini.

Lexo po ashtu Blerja e sistemit raketor “Javelin”, Maqedonci: Parashihet të blihen edhe sisteme të tjera armatimi

“Në kuadër të këtij programi parashihen blerjet ushtarake, duke përfshirë sistemin raketor antitank ‘Javelin’, por dhe sisteme tjera të armatimit. Për sistemin ‘Javelin’ është dërguar dhe pranuar kërkesa dhe për këtë rast blerje kam diskutuar në Departamentit të Shtetit dhe Departament të Mbrojtjes. Sipas informacioneve publike që keni marrë edhe nga ambasadori Hill, kjo lëndë tashmë është përcjellë për aprovim në Kongres dhe presim vendim pozitiv”, ka thënë Maqedonci.

Programi FMS (shitjet e huaja ushtarake) është një program i ushtrisë amerikane për të ofruar ndihmë të sigurisë dhe është një “mjet thelbësor i politikës së jashtme amerikane”, thuhet në ueb-faqen e Agjecisë amerikane për bashkëpunim në siguri. Sipas këtij programi, Qeveria amerikane dhe një qeveri e huaj mund të arrijnë marrëveshje ndërqeveritare, që quhet Letër e Ofertës dhe Pranimit.

Presidenti i Serbisë e ka quajtur zhgënjim të madh lajmin për kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave, duke shtuar se Serbia, së bashku me SHBA-në, do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.

“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan”, tha presidenti serb. /Telegrafi/

Exit mobile version