Site icon Telegrafi

Amerika, Irani dhe kërcënimi për një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme

Ilustrimi: James Ferguson / FT

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Historianët ende habiten nga shpërthimi i Luftës së Parë Botërore. Si ndodhi që vrasja e arkidukës austriak në Sarajevë, në qershorin e vitit 1914, për vetëm disa javë më vonë të çojë në konfliktin që tërhoqi zvarrë çdo fuqi të madhe të Evropës, dhe përfundimisht edhe ShBA-në?

Kjo pyetje me të vërtetë është shqetësuese, sepse shumë prej udhëheqësve të përfshirë u përpoqën me të madhe të shmangnin luftën e përgjithshme evropiane. Perandorët e Gjermanisë dhe të Rusisë shkëmbyen mesazhe të shumta, duke u përpjekur që ta qetësojnë krizën njëmujore që shpiu në konflikt. Por, dështuan.

Rreziku i ngjashëm i përshkallëzimit të paqëllimshëm, tani rri i varur mbi Lindjen e Mesme. Tmerret e konfliktit të Gazës janë aq imponuese saqë të joshin të të përqendrohesh vetëm te luftimet e atjeshme. Por, politikanët perëndimorë gjithnjë e më shumë po përqendrohen në rajonin më të gjerë – dhe në rrezikun e një lufte të përgjithshme në Lindjen e Mesme, që do të mund të tërhiqte Iranin, ShBA-në dhe madje edhe Arabinë Saudite.

Tash për tash, kërcënimi për një luftë më të gjerë po konsiderohet, nga administrata e Bidenit, si sfida qendrore e gjithë krizës. Siç thotë një burim i brendshëm i Uashingtonit: “Të gjitha vendet e përfshira kanë pragjet të cilat, nëse kalohen, do t’i shtyjnë të besojnë se duhet të veprojnë. Por, askush nuk e di se cili është pragu i palës tjetër.”

Gjatë fundjavës, Irani e lëshoi një kërcënim të qartë se pragu i tij po afrohet. Ebrahim Raisi, presidenti i vendit, shkroi në X (ish-Twitter) duke deklaruar se veprimet e Izraelit në Gazë i “kanë kaluar vijat e kuqe dhe kjo mund t’i detyrojë të gjithë që të ndërmarrin veprime.” Ai shtoi: “Uashingtoni na kërkon të mos bëjmë asgjë, por ata vazhdojnë të japin mbështetje të gjerë për Izraelin.”

Pra, si mund të zhvillohet ky përshkallëzim? Një tregues erdhi gjatë javës së kaluar, kur ShBA-ja i bombardoi milicitë e mbështetura nga Irani në Siri. Uashingtoni tha se iu kundërpërgjigj sulmit ndaj forcave amerikane në Irak dhe në Siri, të kryera nga shërbimet e jashtme iraniane. Nëse ato sulme vazhdojnë dhe trupat amerikane vriten, përgjigja e ardhshme e ShBA-së do të jetë edhe më e ashpër.

Është vendimtar roli i Hizbollahut, i grupit militant me bazë në Liban, që mbështetet nga Irani. Nëse Hizbollahu shton sulmet ndaj Izraelit, ai ka mjaft raketa të precizitetit të lartë në armatimin e vet, gjë që në thelb do ta detyrojë popullsinë civile të Izraelit të futet në strehimoret për mbrojtje ndaj bombave.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka kërcënuar Libanin me “shkatërrim”, nëse Izraeli sulmohet nga territori i tij. Por, nëse Hizbollahu rrezikohet nga shkatërrimi, Irani mund të dërgojë trupat nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike [IRGC], për të luftuar përkrah aleatit të vet. Në atë moment, Izraeli mund të vendosë të godasë IRGC-në në Iran, si dhe në Liban.

Shërbimet e tjera iraniane përreth rajonit, mbase gjithashtu do të përgjigjen ndaj luftës që përfshin Hizbollahun, duke shtuar sulmet ndaj objektivave izraelite dhe amerikane. Pastaj, Irani gjithashtu mund të reagojë ndaj kërcënimeve të herëpashershme duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës rrjedh pjesa më e madhe e naftës nëpër botë – ndoshta duke e minuar ngushticën. Ekonominë globale kjo do ta çonte në kaos dhe gjithashtu do të kërcënonte, drejtpërsëdrejti, edhe Arabinë Saudite.

Marina amerikane do të përpiqej për rihapje të ngushticës. Por, kjo mund të bëjë që Irani dhe shërbimet e tij të kundërpërgjigjen. ShBA-ja ka trupa dhe objekte në të gjithë rajonin, të cilat mund të shënjestrohen – duke përfshirë në Bahreinin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Sirinë dhe Irakun.

Forca e mbështetur nga Irani, të cilën amerikanët po e shikojnë me shqetësim të veçantë, është Lëvizja Huti e Jemenit – të cilët ishin në shënjestër të luftës brutale me Arabinë Saudite. Javën e kaluar, hutët hodhën raketa drejt Izraelit. Në të kaluarën, ata gjithashtu i kishin goditur objektet e naftës saudite. Disa raketa precize mund të shkatërrojnë impiantet e shkripëzimit që furnizojnë me ujë kryeqytetin saudit, Riadin.

Konflikti që u shpalos në këtë mënyrë, do të ishte shkatërrimtar për secilin pjesëmarrës – dhe të gjithë ata këtë mirë e dinë. Megjithatë, kjo mund të ndodhë, sepse të gjitha palët gjithashtu besojnë se janë disa ngjarje për të cilat do të ishte më e rrezikshme, për ata, nëse nuk reagojnë.

Izraeli e ka pushtuar Gazën pa një plan të besueshëm për dalje, sepse mendon se duhet “rivendosur parandalimin”. Irani beson se duhet të tregojë se “boshti i tij i rezistencës” mbështet palestinezët. Amerika beson se me forcë duhet të përgjigjet për çdo sulm ndaj trupave të saj.

Jo të gjithë në rajon janë në panik. Në Riad, gjatë javës së kaluara hasa te disa sauditë të informuar të cilët me besim pohonin se kjo është veçse një tjetër krizë në një rajon historikisht të paqëndrueshëm. Agjenda ambicioze e modernizimit të mbretërisë – Vizioni 2030 – është në rrugën e duhur, këmbëngulën ata.

Por, turma e zakonshme në Riad, po e fut kokën në rërë. Princi i kurorës, Mohammed bin Salman – sundimtari de fakto i vendit – është shumë i shqetësuar për rrezikun e luftës rajonale. Strategjia e tij, thotë një njeri i besueshëm, është të “ushtrojë presion mbi amerikanët për të ushtruar presion mbi izraelitët”. Amerikanët, nga ana e tyre, shpresojnë se ai, Katari dhe madje edhe Kina mund ta bindin Iranin për rreziqet e përshkallëzimit dhe për nevojën për përmbajtje.

Kjo krizë tashmë ka çuar në bisedat e padëgjuara më parë midis bin Salmanit dhe presidentit të Iranit. Ashtu si perandorët e Rusisë dhe të Gjermanisë para Luftës së Parë Botërore, udhëheqësit iranianë dhe sauditë ishin të gatshëm që të bisedojnë me njëri-tjetrin – në përpjekjen për të shmangur një luftë shkatërrimtare. Nuk funksionoi më 1914. Le të shpresojmë se këtë herë do të jetë më ndryshe. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version