Telegrafi

The American School of Kosova ofron bursa shkollimi për atomistët

Instituti ATOMI dhe The American School of Kosova (ASK) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Kjo marrëveshje është nënshkruar me qëllim të krijimit dhe zhvillimit të bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve në funksion të përkrahjes së personave me inteligjencë të jashtëzakonshme, me dhunti e talente në Republikën e Kosovës.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ASK do të ofrojë 6 bursa të plota çdo vit akademik për atomistët në klasat 7 deri 12 dhe 1 bursë për Fituesin e Vendit të parë në nivel vendi në të gjitha kategoritë në Garën Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo” për shkollim në ASK.

Me këtë rast, palët po ashtu janë zotuar të bashkëpunojnë për organizimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta me interes për të dy palët.

Instituti ATOMI e falënderon ASK-në për bashkëpunimin me Institutin ATOMI dhe për përkrahjen e ofruar për atomistët! Falë bashkëpunimeve të tilla, çdo ditë jemi një hap më afër përmbushjes së qëllimit tonë si projekt.

Vetëm duke u ofruar mundësi, kushte, trajtim, përkujdesje e shkollim të veçantë bazuar në potencialet e tyre intelektuale, dhuntinë, talentin, personalitetin, ambiciet, interesimet, motivacionin, dhe kushtet socio-ekonomike atomistët do të mund të zhvillojnë e realizojnë maksimalisht potencialin e tyre!