Dita e shumëpritur mbërriti. Sot, nxënësit, stafi akademik dhe ai administrativ i ASK-së e filluan javën në “shtëpinë” e tyre të re.
Kjo shënon një arritje tejet të madhe në historinë 15-vjeçare të American School of Kosova dhe në të ardhmen e tërë vendit. Ëndrra e kamotshme e stafit udhëheqës së American School of Kosova po jetësohet, e së bashku me të po formësohet një e ardhme më e ndritur për të rinjtë dhe vendin tonë.
“Jam shumë i lumtur për këtë ditë tejet të rëndësishme për shkollën dhe vendin tonë. Vizioni jonë për të krijuar një shtet dhe komb që do të ndryshojë botën, po realizohet. E kjo nuk mund të arrihej ndryshe përveç ndërtimit të një kampusi shkollor të tillë, me standarde të tilla, nuk mund të arrihej ndryshe përveç një kualiteti të këtillë të arsimit të të rinjve, të cilët do të udhëheqin nesër në fusha të ndryshme”, shprehet Ardian Hoxha, kryedrejtor i American School of Kosova.
Shannon Bruce Ramaka, drejtoreshë e shkollës, gjithashtu e emocionuar për një sukses të tillë, theksoi se ndihej e nderuar të ketë punuar drejt këtij vizioni që u bë realitet.
“Mundësia që të kontribuoj si me mendje, ashtu edhe me shpirt dhe pasion të plotë për American School of Kosova, është një dhuratë tejet e çmuar për mua. Jam më se e lumtur për këtë ditë!”, shtoi ajo.
Ky kampus shkollor ultra modern gjendet në Shkabaj, Prishtinë dhe është e hapur për vizitorë që duan t’a shohin për së afërmi dizajnin dhe ambientin inovativ të ASK-së.