Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj-Kapitaj i dorëzoi letrat kredenciale Shkëlqesisë së tij Presidentit të Republikës së Çekisë, Petr Pavel.
Ajo me këtë rast shprehu mirënjohjen pёr miqësinë mes dy vendeve dhe i pёrcolli Shkёlqesisё sё Tij, pёrshёndetjet dhe shprehjen e konsideratёs mё tё lartё tё Presidentes sё Republikёs sё Kosovёs, Sh.S.Dr. Vjosa Osmani Sadriu.
“Nga sot filloj zyrtarisht detyrën e përfaqësimit të Republikës së Kosovës në nivel Ambasadori të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë. Ngritja e nivelit të përfaqësimit pas më shumë se 15 vitesh nga lidhja e Marrëdhënieve Diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë, shënon një hap historik. Ky gur themeli i fortë për marrëdhëniet tona bilaterale, do të shërbejë për të nxitur e shpalosur më tej edhe bashkëpunimin tonë në planin multilateral. Kjo arritje, pa padyshim është dëshmi e raporteve tona të shkëlqyera, të zhvilluara e forcuara ndër vite bazuar në një partneritet të qëndrueshëm, ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut”, citohet të ketë thënë ambasadorja Iberhysaj-Kapitaj, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Çeki.
“Sot, shpalosim një kapitull të ri në raportet me Republikën Çeke, ndërsa ecim të sigurt drejtë së ardhmes sonë euro-atlantike, si një shtet sovran, demokratik dhe multietnik. Por, nuk duhet harruar sa i gjatë ishte rrugëtimi dhe sa shumë përpjekje u deshën për të arritur deri këtu”, ka thënë ambasadorja.
“Andaj, sot është momenti të kujtojmë dhe t’u jemi mirënjohës të gjithë miqve e aleatëve që me përkushtim qëndrojnë përkrah nesh në rrugëtimin e përbashkët për një të ardhme prosperuese”.
“Një falënderim i veçantë të gjithë miqve çekë, të cilët na mbështetën dhe punuan që raportet tona të arrijnë nivelin më të lartë të përfaqësimit. Mirënjohje Presidentit dhe Qeverisë Çeke për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin tonë euroatlantik. Ndërsa flasim për historinë e re të marrëdhënieve tona, kujtojmë se lidhjet në mes dy vendeve janë të hershme, mjafton të kthehemi dekada më parë, për të nderuar përkushtimin e pashoq të Presidentit Havel”.
“Presidenti i parë i një shteti mik që shkeli tokën e Kosovës së çliruar, menjëherë pas luftës në vitin 1999. Presidenti Havel ishte mik i shtrenjtë i Presidentit historik Rugova. Ata i bashkonte para së gjithash qëndrimi stoik në kundërshtimin ndaj ideologjive totalitare dhe regjimeve hegjemoniste dhe vizioni e besimi në fuqinë e demokracisë”.
“Në këtë kohë sfiduese për gjithë rendin global po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që vendet që ndajnë të njëjta vlera, të punojnë së bashku për një botë më të mirë e më të sigurt. E marr këtë mision me përulësi dhe me kënaqësi pres të vazhdoj të punoj ngushtë me qeverinë dhe popullin e Çekisë për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dhe për të kontribuar për një të ardhme më të ndritshme dhe më të begatë për të dy vendet tona”, citohet deklarata e ambasadores Iberhysaj-Kapitaj.