Ishte një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për trampistët. Donald Trump, nga kopshti i trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, premtoi se do të krijojë një ushtri me luftëtarë hapësinorë. Ai organizoi një ceremoni me rastin e krijimit të komandës hapësinore në kuadër të ushtrisë.
“Është diçka e madhe. Hapësira është fronti i ardhshëm i luftës dhe unë mendoj se kjo është e dukshme për këdo”, tha Presidenti.
Trump, që ka treguar pak oreks për luftërat e huaja apo angazhimin kundër ndryshimeve të klimës, duket se është më i shqetësuar për kërcënimet që vijnë nga jashtë tokës.
“Rreziqet për vendin tonë evoluojnë në mënyrë konstante dhe ne duhet të evoluojmë po ashtu. Tani, ata që duan të dëmtojnë Shtetet e bashkuara, kërkojnë të na sfidojnë në hapësirë. Dhe kjo do të jetë një lojë krejt e ndryshme”, u shpreh Trump.
Operacionet e komandës hapësinore pritet të përfshijnë edhe mundësimin e navigimit të bazuar mbi satelitët dhe komunikimet për trupat në fushë, duke siguruar paralajmërime për lançime raketash dhe mbrojtje nga ndonjë ndërhyrje e mundshme ruse apo kineze.
Trump tha se forca e tij hapësinore, do të krijohet shumë shpejt, si Dega e Gjashtë e Forcave të Armatosura amerikane. Në të vërtetë, forca hapësinore, që do ti bashkohet ushtrisë, marinës, Forcës Ajrore, Marine Corps dhe Rojës Bregdetare, si shërbim i ndarë, nuk e ka marrë ende miratimin e kongresit, por çështja do të diskutohet pas përfundimit të pushimeve verore. /tch/