Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, Zana Rudi, i ka dorëzuar letrat kredenciale te presidenti i Panamasë, Juan Carlos Varela Rodriguez.
“Ceremonia solemne e dorëzimit të letrave kredenciale është zhvilluar në Pallatin Presidencial të Panamasë “Las Garzas” me një pritje të gardës ceremoniale dhe nën intonimnin e himnit të të dy vendeve.
Më pas, ambasadorja Rudi u prit nga presidenti i Republikës së Panamasë, Juan Carlos Varela Rodriguez, të cilit i përcolli përshëndetjet e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me falënderimin për përkrahjen dhe bashkëpunimin që Panamaja i ka ofruar Kosovës deri më tani”, njofton faqja zyrtare e Ambsadës së Kosovës në Panama.
“Jam e nderuar që e përfaqësoj Republikën e Kosovës si ambasadorja e parë në Panama, vend ky mik i Kosovës dhe përkrahës i madh në arenën ndërkombëtare”, tha ambasadorja Rudi.
Ajo shtoi se kthehet në Panama, tani në postin e ambasadores, me përkushtim të vazhdueshëm për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për fuqizimin e imazhit të Kosovës në këtë vend dhe më gjerë.
Me këtë rast presidenti Varela dhe ambasadorja Rudi kanë biseduar edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët duke mëtuar përafrimin e mëtejmë të dy popujve.
Me dorëzimin e kredencialeve, tashmë Republika e Kosovës përfaqësohet në nivel të ambasadores në Republikën e Panamasë për herë të parë pas njohjes në vitin 2009 dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe hapjes së ambasadës në Panama në vitin 2013./Telegrafi/