Ambasadorja suedeze në Tiranë, Elsa Hastad tregoi në një intervistë për Euronews Albania gjërat që pëlqen më shumë tek shqiptarët.
Ajo theksoi se shqiptarët janë mikpritës dhe se Shqipëria ka një natyrë shumë të bukur.
“Ju jeni të veçantë, pasi jeni kaq mikpritës, kaq të ngrohtë. Jeni të mirë dhe të gjindshëm, mundoheni vërtetë të bëni më të mirën e mundshme. Gjëja e dytë është bukuria e këtij vendi. Më duhet ta them, bukuria e këtij vendi është e mahnitshme. Shqipërinë nuk e kanë parë të gjithë, por unë udhëtoj shumë dhe sërish mbetem e mahnitur. Malet, deti, çdo gjë është fantastike”, u shpreh ambasadorja.
Por, ajo tregoi edhe se çfarë nuk pëlqen tek shqiptarët dhe u fokusua tek çështja e plehrave.
“Plehrat! Kjo është një gjë shumë e keqe! Plehrat! Kur udhëtoj në këtë vend kaq të bukur, dhe shoh gjithë ato qese plastike dhe plehra dhe ushqimin që njerëzit e hedhin sa këtej andej, kjo më trishton shumë. Mendoj se diçka që Shqipëria duhet ta bëj më tepër mund të bashkëpunojmë, së bashku. Këto janë gjërat të cilat unë i konsideroj të rëndësishme”, tha ajo.