Site icon Telegrafi

Ambasadorja suedeze inkurajon baballarët kosovarë të ndajnë kujdesin prindëror bashkë me gratë (Video)

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë janë ekspozuar fotografi të cilat tregojnë raportin e babait me fëmijën e tyre.

Këto fotografi janë duke prezantuar më së miri jetën e përditshme, ku fëmija kërkon vëmendje të barabartë nga të dy prindërit.

Edhe pse në Kosovë, nënat kalojnë më shumë kohë me fëmijët, kjo ekspozitë do të ndihmoj në përfshirjen e baballarëve gjithashtu.

Kështu ka pohuar hulumtuesja e politikave në Institutin D4D, Valëza Zogiani.

“Sot në D4D bashkë me Ambasadën suedeze në Kosovë kemi organizuar ekspozitën e fotografive “Baballarët kosovarë dhe suedezë”. Është pjesë e një projekti më madhor që ka për qëllim nxitjen e debatit publik për përfshirjen e baballarëve në jetën dhe rritjen e fëmijëve. Kështu që edhe këto fotografi që po shfaqen në shesh kanë këtë qëllim”, deklaroi  për RTV Dukagjinin, Valëza Zogiani.

Ekspozita “ Baballarët kosovarë dhe suedezë” është organizuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë, së bashku me organizatat vendase , të cilat kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve në këtë aspekt.

Ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Nernmarck Ahliny ka thënë se qëllimi i ekspozitës është mjaftë i dukshëm, dhe shpreson që këtë ta kuptojë çdo kosovar.

“Ne e kemi organizuar këtë ekspozitë, duke dashur t’i përfshijmë të dy prindërit në rritjen e fëmijës së tyre. Edhe pse është një fillim i vogël, mendojmë që do të ketë ndikim pozitiv tek kosovarët”, deklaroi ambasadorja Karin Nernmarck Ahliny, përcjell Telegrafi.

Këtij mendimi i është bashkëngjitur edhe Njomza Berisha, nga organizata SIT. Ajo ka thënë se kanë organizuar edhe disa aktivitete të tjera,  për të njëjtin qëllim.

“Qëllimi i ekspozitës është për të avokuar për ndryshim të lejes prindërore. Me këtë ekspozitë jemi duke u munduar të shpërndajmë energji pozitive dhe të ndikojmë që edhe baballarët të kujdesen për fëmijët dhe normalisht ka me ndikua mirë për çdo kënd që e sheh këtë ekspozitë”, shprehet Njomza Berisha.

Organizatorët thonë se pavarësisht rrethanave në të cilat jetojmë, duhet që secili prind të mendojë për të mirën dhe shëndetin e fëmijës./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version