Telegrafi

Ambasadorja Kim fton për takim në zyrë komentuesin që i ngatërroi origjinën në Instagram

Pas një komenti në Instagram, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka ftuar për një takim në zyrë një person që kishte komentuar gabimisht në profilin e saj se ishte nga Kina.

Ambasadorja Kim kishte postuar një foto personale me këngëtaren Ermira Babaliu, të cilën ajo ka rrëfyer se e kishte takuar gjatë një udhëtimi në avion dhe ritakuar më pas në Pogradec.

Në foton në fjalë, një përdorues i Instagramit kishte shkruar se “dashuria shqiptaro-kineze është një histori e vjetër”.

Mirëpo ambasadorja nuk ka qëndruar indiferente kundrejt këtij komenti dhe e ka ftuar komentuesin në zyrën e saj, në Ambasadën Amerikane për të diskutuar mbi shtetësinë e saj.

“Jam e çuditur nga komenti juaj. Ju mirëpres në zyrën time në Ambasadën Amerikane për një bisedë, ku mund t’ju tregoj për historinë krenare të vendit tim si një ‘Komb i Emigrantëve’, ndërsa ju mund të më thoni pse mendoni se jam ‘kineze’. Ju lutem më thoni nëse dëshironi të vini për një kafe dhe bisedë. Kjo është një ftesë e sinqertë”, i është përgjigjur ambasadorja Kim.

Pas këtij komenti nga ambasadorja, komentuesi është përgjigjur se ndihej i privilegjuar për këtë ftesë të pazakontë.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim është me origjinë nga Koreja e Jugut, familja e saj emigroi në ishullin e Guamit në paqësor, i cili është territor i SHBA-së. /Euronews.al/