Telegrafi

Ambasadorja e Zvicrës në Maqedoni me apel: Përveç universitetit, sistemi dual i trajnimit mundëson vende të mira pune

Ambasadorja zvicerane në Maqedoninë e Veriut, Veronika Ulman sot bëri apel deri tek të rinjtë dhe prindërit e tyre që të ndjekin trajnimet dhe sistemin dual të arsimit, në mënyrë që nxënësit t’i përshtaten tregut të punës dhe të formohen profesionalisht.

Ulman tha se ky sistem funksionon në Zvicër dhe se nëse aplikohet edhe këtu, të rinjtë mund të sigurojnë vende të mira pune.

“Partneriteti mes sektorit privat, shtetit dhe shkollave janë çelësi për të përgatitur rininë që të ketë punë të mirë dhe për të pasur një karrierë të mirë profesionale. Mesazhi i dytë është për të rinjtë dhe fëmijët, ata duhet të kenë mundësinë të zgjedhin jetën e tyre profesionale, të studiojnë në universitet ose të shkojnë në formim profesional, edukim profesional (VET-CTE), sistem dual të trajnimit, keni një mundësi të mirë që të gjeni punë pas përfundimit të trajnimit.

Dhe mesazhi i tretë është për prindërit, dëgjoni fëmijët tuaj, dëgjoni se çfarë duan të bëjnë, jepuani mundësinë të zgjedhin dhe mbështetni ata nëse duan të hyjnë në këtë pjesë, në këtë karrierë sepse ia vlen, sepse do të kenë një punë të mirë në fund të këtij trajnimi”, tha Ulman.