Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC Elvana Shala po qëndron në Vjenë ku po merr pjesë në konferencën “ZeroProject Conference” që po zhvillon punimet në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka mbledhur 800 pjesëmarrës nga 80 shtete të ndryshme të botës për të diskutuar mbi përfshirjen e personave me nevoja të veçanta në politikë dhe jetë të pavarur.
Në diskutimin me temën “Diplomacia dhe integrimi i personave me nevoja të vecanta”, Shala ka zhvilluar një bisedë interaktive me Ambasadoren e Spanjës në Austri, Cristina Fraile dhe Ambasadorin e Izraelit në Austri, Mordechai Rodgold, me të cilët ka diskutuar për praktikat më të mira që vendet duhet të ndjekin për inkuadrimin e kësaj kategorie në diplomacinë shtetërore.
Pavarësisht raporteve politike me Kosovën ambasadorja e Spanjës tregoi interesim për këtë çështje në Kosovë, ndërkohë që ambasadorja Shala i kërkoi bashkëpunim në këtë fushë të rëndësishme, bazuar në faktin se Spanja ishte modeli më efektiv i inkuadrimit të kësaj kategorie në diplomaci, thuhet në njoftim.
Tutje Shala ka thënë se pavarësisht progresit të shteteve, inkuadrimi i personave me nevoja të vecanta në diplomacinë shtetërore në nivel global ngelet shqetësues. /Telegrafi/