Ambasadorja e Kosovës në Belgjikë, Mimoza Ahmetaj, për në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar për ngjarjet e mëngjesit të sotshëm në kryeqytetin e Evropës.
“Ngjarjet e sotshme kanë qenë tronditje e madhe jo vetëm për Brukselin, por për Bashkimin Evropian dhe të gjithë Evropën. Deri më tani nga të dhënat mësohet se janë 41 viktima dhe 150 të lënduar”, tha ajo.
Ahmetaj ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka të dhëna se në mesin e viktimave kishte edhe shtetas të Kosovës.
“Të gjithë qytetetarët tanë që ose janë me punë ose që jetojnë në Bruksel nuk kemi ndonjë informatë që ndonjëri prej tyre ka qenë i lënduar apo i atakuar nga këto sulme. Megjithatë lista e emrave e të vdekurve nuk është bërë publike por po të kishte pasur diçka sigurisht që familjarët do të na kontaktonin”.
Ajo ka bërë të ditur se delegacioni i Kosovës që gjendet në Bruksel është mirë.
“Që në mëngjes ne kemi kontaktuar të tri delegacionet, atë të Edita Tahirit, ekipin për dialogun teknik si dhe delegacionin nga parlamenti i Kosovës i kryesuar nga Sabri Hamiti. Ekipet janë të vendosura në hotelet e tyre”, tha ajo.