Telegrafi

Ambasadorja e Izraelit, Ziv falënderon liderët institucional të Kosovës që dënuan sulmin nga Irani

Irani ka kryer një sulm me raketa ndaj Izraelit, ditën e shtunë.

Ky sulm ka nxitur reagime të shumta në botë. Sulmi u dënua edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, transmeton Telegrafi.

Në një postim në “X”, Kurti ka shkruar se ky është në akt i paprecedentë, dhe se i njëjti paraqet rrezik të madh për destabilizimin e rajonit.

“Dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky akt i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e të gjithë rajonit”, ka shkruar Kurti.

Sulmin ndaj Izraelit e ka dënuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

“Kosova i bashkohet aleatëve në mbarë botën për të dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit. Ky përshkallëzim i madh po çon në paqëndrueshmëri të paprecedentë në rajon dhe më gjerë, me jetë të pafajshme që mbajnë peshën e saj shkatërruese. Përpjekjet për paqe duhet të mbizotërojnë”, ka shkruar Osmani.

Për sulmin ndaj Izraelit ka reaguar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj thotë se sulmi i mbrëmshëm është një sulm jo vetëm ndaj Izraelit por ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë.

“Vlerat tona të përbashkëta sot cenohen seriozisht dhe Kosova duhet të rreshtohet pa asnjë mëdyshje me NATO-n, ShBA-të dhe Izraelin, në mbrojtje të lirisë. Qëndrojmë me Izraelin sepse ndajmë një të kaluar të dhimbshme dhe e dijmë se sa kushton liria, andaj jemi me ata që e mbrojnë të njëjtën me çdo kusht”, shkruan Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Lexo po ashtu Sulmi i Iranit ndaj Izraelit - të gjitha zhvillimet, minutë pas minute

Lidhur me këto reagime, ka shkruar edhe ambasadorja e shtetit të Izraelit në Kosovën, Tamar Ziv.

Ambasadorja Ziv ka falënderuar Kurtin, Osmanin dhe Haradinajn që kanë reaguar.

“Ju faleminderit ngrohtësisht, Shkëlqesia Juaj Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës. Ju faleminderit ngrohtësisht, Shkëlqesia Juaj znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës! Ju faleminderit ngrohtësisht, Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)”, shkruan Ziv.

Ndryshe të shtunën më 13 prill, Irani ka lëshuar rreth 300 dronë në drejtim të Izraelit.

Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite. /Telegrafi/