Ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, beson se shumë shpejt do të formohet një qeveri e qëndrueshme në Malit të Zi, e cila do të jetë “gjithëpërfshirëse dhe e përkushtuar ndaj vlerave dhe reformave euroatlantike”.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Reinke bëri të ditur se Uashingtoni nuk e ka si partner koalicionin, “Për të ardhmen e Malit të Zi” (ZBCG) të udhëhequr nga Milan Knezheviq. Ajo hodhi poshtë deklaratat e kreut të ZBCG-së, i cili më parë drejtonte Frontin Demokratik, se një qëndrim i tillë i Amerikës paraqet ndërhyrje në vullnetin elektoral të qytetarëve dhe sovranitetin e Malit të Zi, duke i vlerësuar deklaratat si “provokuese” dhe “të pabaza”.
“Shtetet e Bashkuara shpresojnë dhe presin plotësisht që qeveri të reflektojë në vlerat euroatlantike që kanë përqafuar partitë kryesore dhe supozojë se do të jetë gjithëpërfshirje në atë proces, në mënyrë që kur shumica eventuale të marrë vendin e saj në parlament, ata mund të lëvizin shpejt drejt reformave për BE-në”, tha Reinke.
Ambasadorja amerikane pret gjithashtu që opozita “të jetë konstruktive dhe të njohë rolin e saj” në përmbushjen e kritereve për anëtarësim e vendit në BE dhe për vendimet që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.
Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, të mbajtura më 11 qershor, asnjë parti apo koalicion nuk fitoi një numër të mjaftueshëm votash për të formuar në mënyrë të pavarur qeverinë, dhe do të pasojnë negociatat për koalicionet paszgjedhore dhe konstituimin e pushtetit ekzekutiv.
Më së shumti mandate, 24 nga 81, ka fituar Lëvizja Evropa Tani, e cila në ditët në vijim duhet të nisë negociatat formale për formimin e Qeverisë.
Lëvizja përjashtoi mundësinë e negociatave me Partinë Demokratike të Socialistëve, e cila deri para disa javëve ishte udhëhequr nga Milo Gjukanoviq dhe Lëvizjes Qytetare URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq.
Ndryshe, Knezheviq konsiderohet si afërt me qeverinë e Serbisë dhe pro-rus. /Telegrafi/