Telegrafi

Ambasadorja Althauser: Shumë pak kohë ka deri më 5 qershor për t’u plotësuar kushtet për zgjedhje në Maqedoni

Në një intervistë për ”Radio Evropa e Lirë”, ambasadorja gjermane në Shkup, Christine Althauser, ka deklaruar se ka pak kohë që deri më 5 qershor të plotësohen të gjitha kushtet për zgjedhje të drejta dhe të besueshme, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Ambasadorja kërkon që partitë politike të bëjnë gjithçka për të patur zgjedhje të besueshme, si edhe të mbështetet, në mënyrë institucionale, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), që ta kryej detyrën e saj në kohë.

Althauser thotë se cilësia e zgjedhjeve është më e rëndësishme se data e mbajtjes, duke shtuar se vlerësimi i zgjedhjeve do të bëhet në bazë të kritereve të cilat janë përcaktuar në letrën e përbashkët të ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-ve, dërguar kryeministrit teknik më 19 shkurt të këtij viti.

Më tej, ambasadorja gjermane bën të ditur se do të fokusohen në listën zgjedhore, mediumet dhe ndalimin e manipulimeve politike me votuesit./Telegrafi/