Ambasadorin i SHBA-ve, Greg Delawie uroi Guvernatorin Fehmi Mehmeti për përzgjedhje në postin e guvernatorit dhe inkurajoi BQK-në të vazhdojë rrugën e saj në rregullimin e sektorit financiar dhe mbarëvajtjen e stabilitetit të sektorit.
Guvernatori Fehmi Mehmeti e njoftoi Ambasadorin rreth zhvillimeve në sektorin financiar të vendit, duke nënvizuar rritjen e aktivitetit të këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe shkallën e lartë të qëndrueshmërisë që gëzon ky sektor.
Po ashtu ai, shprehu mirënjohjen e lartë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Qeveria e SHBA-ve për zhvillimin institucional të BQK-së që nga themelimi i saj dhe për zhvillimin ekonomik të vendit në përgjithësi.
Guvernatori Mehmeti shprehu përkushtimin e tij të lartë për të avancuar të gjitha funksionet e BQK-së dhe për ta forcuar edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Ambasadën Amerikane dhe të gjitha agjencionet e Qeverisë së SHBA-ve.
Ambasadori Greg Delawie, tha se një udhëheqësi e fuqishme dhe e lartë në BQK është kyçe për fuqinë e vazhdueshme financiare të Kosovës dhe shprehu dëshirën e Ambasadës Amerikane për të vazhduar të punojë me BQK-në. /Telegrafi/