(E plotësuar) – Ambasadori i Republikës së Kosovës për Marrëdhëniet me NATO-n, Astrit Zemaj, ka marrë pjesë në një mëngjes pune të organizuar në Rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në NATO, Dr. Geza Andreas von Geyer.
Takimi u mbajt në bashkëpunim me përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të QUINT-it në NATO dhe ishte i dedikuar ekskluzivisht për Kosovën.
Në këtë takim morën pjesë u.d. Shefit të Misionit të SHBA-së, Scott Oudkirk, ambasadori i Italisë, Marco Peronaci dhe DPR i Francës në NATO, Julie Thisse.
Ambasadori Zemaj e vlerësoi këtë ngjarje si një tregues të mbështetjes dhe rëndësisë që shtetet aleate, veçanërisht Gjermania, i kushtojnë Kosovës, paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon.
Many thanks to Ambassador @AstritZemaj for an informative exchange of views with Quint #NATO delegations at the 🇩🇪 Residence this morning!
— Germany at NATO (@GermanyNATO) January 31, 2025
Diskutimet u fokusuan në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, proceset aktuale, përfshirë zgjedhjet parlamentare, integrimin euroatlantik të Kosovës, rolin e KFOR-it si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të NATO-s.
Zemaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen shumëdimensionale që Kosova ka marrë nga shtetet aleate dhe për angazhimin e trupave të KFOR-it në Kosovë.
Ai gjithashtu falënderoi Gjermaninë dhe aleatët për punën e Ekipit NALT – Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe integrimit të Kosovës si një partner i besueshëm për sigurinë rajonale dhe më gjerë.
Edhe Misioni i Gjermanisë në NATO e ka vlerësuar këtë vizitë, duke konfirmuar mbështetjen e aleatëve për rrugën euroatlantike të Kosovës.
“Shumë falënderime për Ambasadorin Astrit Zemaj për një shkëmbim të pikëpamjeve me delegacionet e QUINT-it në Rezidencë këtë mëngjes! Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, QUINT-i theksoi rëndësinë e NATO-s për stabilitetin në Kosovë dhe rajon, si dhe konfirmoi mbështetjen për trajektoren transatlantike të Kosovës”, ka shkruar Ambasadori i Gjermanisë në NATO.