Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi sot në selinë e partisë priti në takim Ambasadorin e Francës, Christian Thimonier.
Në takim u bisedua për çështjet aktuale politike, kontestin me Greqinë, si dhe për ecurinë e reformave që Maqedonia duhet ti përmbush drejt proceseve integruese.
Kryetari Thaçi theksoi rëndësinë e zgjidhjes së kontestit të emrit që do të mundësonte anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si dhe të procesit të reformave, duke potencuar se procesi Euro-Atlantik është prioritet absolut për Partinë Demokratike Shqiptare dhe për shqiptarët e Maqedonisë.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që duhet të jepet kontribut maksimal për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, dhe se në këtë drejtim rikthimi i dialogut të mirëfilltë politik është me rëndësi të veçantë, ku të gjitha palët duhet të mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të ndihmojnë lëvizjen e proceseve përpara drejt integrimit në NATO dhe BE. /Telegrafi/