Telegrafi

Ambasadori Szunyog: Kosova intensifikoi bashkëpunimin me BE-në, me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e së premtes, kanë miratuar pesë marrëveshje ndërkombëtare.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka përshëndetur miratimin e këtyre marrëveshjeve, duke thënë se në këtë mënyrë Kosova ka intensifikuar bashkëpunimin me BE-në.

“Jam i lumtur dhe mirënjohës për këtë zhvillim”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Me 81 vota për, dje është ratifikuar vendimi i Këshillit të Stabilizim Asociimit, BE-Kosovë, për amendamentimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe komunitetit evropian të energjisë atomike dhe Kosovës.

Po ashtu, është miratuar edhe marrëveshja dypalëshe e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, ku mori mbështetjen e 86 deputetëve.

Deputetë të pozitës e opozitës kanë ratifikuar me 83 vota edhe amendamentin e dytë të marrëveshjes financiare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin “IPA 2015”.

Me 85 vota për është miratuar edhe marrëveshja financiare mes Republikës së Kosovës dhe BE-së për programin “IPA 2018”.

Në seancën e djeshme është miratuar edhe marrëveshje financiare mes Kosovës dhe BE-së për programin “IPA 2021”, me 86 vota për. /Telegrafi/