Telegrafi

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë: Në Kosovë kanë ardhur 650 persona të prekur nga tërmeti

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi ka vlerësuar lart solidaritetin e popullit të Kosovës për të goditurit nga tërmeti në Shqipëri.

Minxhozi në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se është ndjerë shumë i prekur kur ka parë në sheshin e Prishtinës njerëz të gjitha moshave dhe profesioneve që grumbullonin ndihma për banorët e Shqipërisë të prekur nga tërmeti.

Ai ka thënë se kjo fatkeqësi tregoi se populli i Kosovës nuk e ka harruar mikpritjen që u kanë bërë shqiptarët andej kufirin gjatë luftës së vitit 1999.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë ka thënë se ka telefonata pa fund që vijnë në ambasadë duke lëshuar banesat dhe shtëpitë për banorët e zonave të prekura.

Ai thotë se vlerëson lartë edhe solidaritetin e hoteleve në Kosovë për t’u vënë në dispozicion të shqiptarëve që kanë mbetur pa strehë.

Minxhozi ka thënë se në bazë të dhënave deri në orën 19:30 nga Shqipëria në Kosovë janë vendosur 650 njerëz të prekur nga pasojat e tërmetit./Telegrafi/