Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog së bashku me ambasadorë të shteteve të BE-së sot kanë vizituar Kooperativën Bujqësore “Krusha”, në Krushë të Madhe, korporatë e cila është ndihmuar financiarisht nga BE-ja.
Szunyog u shpreh i impresionuar me punën e kësaj kooperative, derisa theksoi se në Kosovë, numri i grave që marrin pjesë në tregun e punës është i vogel dhe kjo duhet të ndryshojë.
Ai tha se gratë e Kosovës janë të fuqishme e inovative, dhe këto janë arsyet që e shtyjnë BE-në të investojë në fuqizimin e grave në Kosovë.
“Më impresionon dhe kjo tregon se sa janë të fuqishme gratë në Kosovë dhe na shtynë neve si Bashkësi Evropiane të bëjmë më shumë që të fuqizojmë gratë në Kosovë… Për fat të keq shumë gra në Kosovë nuk janë pjesë e tregut të punës dhe kjo duhet të ndryshojë. Gratë janë të mençura, kreative e inovative, janë në gjendje të menaxhojnë kompanitë dhe pse jo të mos i fuqizojmë edhe më shumë”, tha ai.
Kurse, udhëheqësja e Kooperativës “Krusha”, Fahrije Hoti tha se fal mbështetjes së Bashkimit Evropian kanë arritur të krijojnë infrastrukturën e duhur por edhe shtimin e numrit të punëtorëve.
“Vitin e kaluar e kemi pas fatin që e kemi ndërtuar këtë objekt gjigant që e ka rrit kapacitetin e prodhimit, e ka rritur numrin e punëtorëve në vitin 2021, kemi kaluar në 1 milion e 200 mijë kilogramë kultura të ndryshme të përpunimit, ku falë objektit dhe kushteve që i kemi, infrastrukturës kemi arritur të marrim edhe tregje të reja dhe krahas asaj kemi edhe certifikime të ndryshme që BE i kërkon për produktet tona… Kemi filluar, unë individualisht dhe tash jemi 43 punëtorë bazë, gjatë kohës kur kemi fluks të prodhimit që punojmë më dy turne kemi edhe ekipe shtesë që janë prej 25-30 që komplet bëhen 70-80 gra… BE na ka krijuar kushte për të punuar dhe shpresoj që partneriteti me BE-në të vazhdojë edhe në të ardhmen që të mos ngel kooperativa këtu ku jemi por të vazhdojmë të marrim tregje, rritjen e kapaciteteve, numrin më të madh të punëtorëve”, tha ajo.
Kooperativa Bujqësore “Krusha” ka përfituar më shumë se 400,000 euro mbështetje nga BE në dy raunde, fillimisht në vitin 2014 e më pas edhe në vitin 2020.
Krahas vizitës në fabrikë, përfaqësuesit e familjes evropiane në Kosovë patën mundësi të shohin edhe filmin “Zgjoi” i cili paraqet historinë e Fahrije Hotit. Po ashtu, u mbajt edhe një diskutim për fuqizim të grave.
Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të fushatës “Për ju, me ju”, e cila ka për qëllim promovimin e mbështetjes së Bashkimit Evropian në Kosovë. Deri më tani, falë mbështetjes së BE-së në sektorin e bujqësisë̈, më shumë se 500 të rinj janë punësuar, më shumë se 100 agro-biznese kanë krijuar standarde prodhimi të nivelit të BE-së, dhe rreth 80 biznese kanë ulur shpenzimet dhe ndotjen duke rritur efiçiencën e energjisë./kp/