Ambasadori i Austrisë Johan Sattler nga Shkodra, tha se Shqipëria është në një krizë më të madhe se zakonisht, ndërsa shtoi se ka ardhur koha për t’u ulur dhe për të parë se çfarë duhet rregulluar.
“Kryetarët e partive të ulen së bashku. Djegia e shkollave nuk është aspak e këndshme”, tha Sattler.
Sattler tha se nëse vazhdohet me këtë mënyrë imazhi i Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve do përkeqësohet.
“Nëse ju vazhdoni me këto mënyra do ketë shumë ndikim edhe tek evropianët e tjerë dhe pastaj është shume e vështirë të hiqet një imazh i keq nga truri i tyre”, tha ai.
Sattler ka folur edhe për përgjimet.
“Përgjimet mund të jenë të sakta dhe nëse ka përbërje kriminale duhet të konfirmohet. Nuk e di nëse e keni ndjekur në Austri për një video që tronditi Austrinë dhe nëse ka diçka duhet gjykuar nga gjykatat dhe këtu shpresa e madhe është tek drejtësia. Vettingu është gjithashtu duke u bërë dhe duhet t’i marrim hap pas hapi dhe duhet ta nisni nga sistemi gjyqësor”, ka shtuar Sattler. /TCH/