Ambasadori i Republikës së Kosovës, Sabri Kiçmari ka filluar zyrtarisht detyrën në Tokio.
Pas përfundimit të karantinës 14 ditore, ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, ka filluar zyrtarisht detyrën në Tokio. Ai është pritur në dy takime të ndara nga zëvendësministri i punëve të jashtme të Japonisë, Takeo Mori si dhe nga shefja e protokollit të MOFA-së, Ambasadore Shino Mitsuko.
“Republika e Kosovës dhe Japonia ndajnë vlera të përbashkëta në respektimin e demokracisë, bashkëpunim të afërt institucional dhe miqësi të bazuar në marrëdhënie të sinqerta në mes të dy popujve tanë”, theksoi ambasadori Kiçmari.
Kiçmari gjithashtu tha se prioritet i tij kryesor në Tokio do jetë thellimi dhe rritja e mëtejme e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Japonisë, theks i veçantë ai tha se do jetë edhe sektori ekonomik, me këtë rast nxitja e investimeve japoneze për të investuar në Kosovë.
Zëvendësministri i jashtëm, Mori duke i uruar mirëseardhje dhe fillim të mbarë Ambasadorit Kiçmari, u shpreh se ai dhe institucionet tjera japoneze do ofrojnë bashkëpunim dhe mbështetjen e plotë për Ambasadën e Kosovës në Japoni, kështu marrëdhëniet në mes të dy shteteve tona do njohin vetëm rritje të bashkëpunimit dhe thellim të marrëdhënieve.
Në këtë takim Kiçmari u shoqërua nga diplomati Arbër Mehmeti. /Telegrafi/