Site icon Telegrafi

Ambasadori rus në Tiranë: Jam i shqetësuar

Pak orë pasi ISIS deklaroi se edhe Ambasada e Rusisë në Tiranë është në shënjestër të sulmeve, Ambasadori rus në Shqipëri, Aleksander Karpushin deklaron se godina ku ndodhen nuk është e sigurt.

Në një intervistë për Ora News ambasadori Karpushin u shpreh se janë të shqetësuar nga ky informacion dhe kërkojnë ndihmën e organeve ligjvënëse për të garantuar sigurinë dhe jetën.

Diplomati rus u shpreh se godina ku ndodhet aktualisht ambasada është me qera dhe Moska i kërkon shtetit shqiptar të plotësojë detyrimin për t’i dhënë Rusisë 18 mijë metra katror tokë për të ndërtuar një ambasadë të sigurt, pas sekuestrimit të regjimi i Enver Hoxhës i ka bërë ish-Ambasadës së Bashkimit Sovjetik, godinë ku aktualisht ndodhet Presidenca e Republikës.

A keni shtuar masat e sigurisë, a ndiheni të rrezikuar?

“Po, patjetër ndihemi të shqetësuar nga këto informacione. Brenda mundësive kemi shtuar masat e sigurisë. Kemi kërkuar asistencë edhe nga organet ligjzbatuese të RSH. Por problemi është që tek kjo godinë ku ndodhemi tani nuk mund të garantojmë masat maksimale të sigurisë sepse kjo godinë merret me qira, nuk është në pronësi të shtetit rus dhe për ne është një nga çështjet më aktuale ndërtimi i një ambasade të re në Tiranë. Dikur Bashkimi Sovjetik kishte ndërtuar një ambasadë shumë të mirë në Tiranë por pastaj u konfiskua nga regjimi i Enver Hoxhës dhe në atë godinë sot e kësaj dite ndodhet Presidenca e Republikës së Shqipërisë.
Tani shpresojmë që nga pala shqiptare të marrim të paktën një truall toke ku mund të ndërtojmë një ambasadë të re me masa maksimale të sigurisë. Këtë çështje e kam diskutuar edhe me kryeministrin Rama. Në fakt ky është obligim i shtetit shqiptar, është obligim i dokumentuar, kthimi i një truall toke me sipërfaqe 18 mijë metra katrorë, i cili ishte falur nga Shqipëria ndaj Bashkimit Sovjetik. Pra, shpresojmë që organet ligjzbatuese dhe shërbimet sekrete të Shqipërisë do ta marrin me mirëkuptim këtë rrezik dhe do të na ndihmojnë të sigurojmë dhe të garantojmë sigurimin e diplomatëve tanë dhe familjarëve të tyre”, tha ambasadori rus.

Exit mobile version