Telegrafi

Ambasadori rus në OKB: Rusia nuk mund të përjashtojë mundësinë për luftë me SHBA-të

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj të enjten që të përmbahen nga veprimi ushtarak kundër Sirisë gjatë një sulmi të dyshuar të armëve kimike dhe tha se ai “nuk mund ta përjashtojë” luftën midis Uashingtonit dhe Moskës.

Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, duke folur pas një takimi të Këshillit të Sigurimit me dyer të mbyllura të kërkuar nga Bolivia për kërcënimet e veprimeve ushtarake në Siri nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, Nebenzia ka thënë se situata është edhe më e rrezikshme për shkak se trupat ruse janë në Siri.

“Prioritet i menjëhershëm është të shmanget rreziku i luftës”, u tha ai gazetarëve. “Ne shpresojmë se nuk do të ketë asnjë pikë moskthimi”.

Dhe kur u pyet nëse ai po i referohej një lufte midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, ai tha: “Ne nuk mund të përjashtojmë ndonjë mundësi, fatkeqësisht, sepse pamë mesazhe që vijnë nga Uashingtoni. Ato ishin shumë luftarakë”.

Më herët, Rusia, pikërisht përmes Nebenzia, ka paralajmëruar SHBA-të dhe aleatët e saj kundër “peshkimit në ujërat e turbullta” të Lindjes së Mesme, duke i akuzuar për shkaktim të kaosit të mëtejshëm atje.

Madje, siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, ka thënë se SHBA-të nuk duhet të supozojnë se kanë miq, vetëm vende që nuk janë në gjendje të mospajtohen.

Sipas tij, SHBA dhe aleatët e saj nuk kanë arritur të kuptojnë paralajmërimin e fjalëve të Presidentit rus Vladimir Putin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vitin 2015.

“A e kuptoni tani atë që keni bërë?” Nebenzia përsëriti pyetjen atëbotë të Putinit. “Jo, ju nuk e dini”.

“Kudo që të shkoni, çdo gjë që prekni, lëni prapa vetëm kaosin. Ju përpiqeni të peshkoni në ato ujëra të zymta, por e vetmja gjë që ju kapni janë mutantët”, ka vazhduar Nebenzia.

Pas kësaj, siç bëhet e ditur më tej, Nebenzia u kthye në vërejtjet e bëra më parë nga homologia e tij e SHBA-ve, Nikki Haley, e cila tha se SHBA-të dhe Rusia “kurrë nuk do të jenë miq”.

“Ne nuk jemi veçanërisht të prirur të jemi miq me ju”, ka thënë tutje ambasadori rus.

Siç raportojnë mediat, i dërguari rus e mbylli fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit me një paralajmërim se një sulm ushtarak i paautorizuar në Siri, ku trupat ruse janë të vendosur, do të kishte “pasoja të rënda”. /Telegrafi/