Site icon Telegrafi

Ambasadori i ri britanik nis të njohë Shqipërinë, Abbott: Jeni në zemër të rajonit

Ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale, për atë që e quan një “kapitull i ri” në marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Jam këtu për ta ngritur partneritetin tonë në lartësi të reja. Kemi themele të forta kështu që le të ndërtojmë diçka të jashtëzakonshme bashkë”, thotë Abbott.

“Siç e dini, ky rajon ma ka fituar zemrën tashmë”, thotë Abbott, duke iu referuar ditëve kur ishte ambasador në Prishtinë. “Dhe Shqipëria është në zemër të këtij rajoni”.

Në video ambasadori britanik shihet teksa viziton disa vende në vendin tonë, mes tyre edhe varrin e Skënderbeut në Lezhë, por premton se do ta njohë edhe më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët në muajt në vijim.

Abbott mbërriti në fund të gushtit në Tiranë. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Alastair King-Smith. Ai është pjesë e trupit diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar që prej vitit 1985. Para se të emërohej në Shqipëri, Abbott ka qenë ambasador në Kosovë nga viti 2019 deri në vitin 2024.

Ai gjithashtu ka punuar në poste të ndryshme në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si në Algjeri, Arabinë Saudite, Katar, Algjeri dhe Egjipt. /Telegrafi/

Exit mobile version